Cristiano Ronaldo do të inspirohet për të përfunduar sezonin në Serie A si top-golashënues pasi ka parë formën e jashtëzakonshme të rivalit Lionel Messi së fundmi, sipas trajnerit të Juventusit, Massimiliano Allegri.
Ylli i Barçës shënoi dy herë të mërkurën ndaj Liverpoolit në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, duke arritur në 600 gola për klubin, në fitoren 3 me 0.
Ronaldo e arriti i pari këtë shifër magjike pas golit në fundjavë ndaj Interit, e që ishte goli i 27-të në sezon pas largimit nga Reali vitin e shkuar.
Ai e ndjek Messin që ka shënuar 21 gola më shumë, ndërsa është edhe tre gola prapa Fabio Quagliarellas në garën për Këpucën e Artë në Serie A.
Por Allegri mendon se 34-vjeçari do të ndizet në ndeshjet e fundit për të dalë i pari në Itali.
“Messi është stimul i mirë për Ronaldon”, ka thënë Allegri para ndeshjes me Torinon të premten. “Kemi një derbi dhe Messi arriti 600 gola dje. Ai do të ndizet më shumë për të ecur lart në listën e golashënuesve dhe synon të përfundojë sezonin si top-golashënues”.