Sport

Flamuri i Kosovës në fanellën e Ukrainës, reagojnë mediat serbe

Flamuri i Kosovës do të shfaqet në fanellën e përfaqësueses së Ukrainës në futboll. Kjo është bërë e ditur të martën nga presidenti i Federatës së Futbollit të Ukrainës, Andrii Pavelko.

Ukraina nuk njeh shtetin e Kosovës, por vlerëson përkrahjen që Kosova po ia jep gjatë luftës me Rusinë.

Në fakt në fanellën e Ukrainës për ndeshjet përgatitore për plejofin për kualifikim në Botëror, do të paraqiten flamujt e të gjitha shteteve që po e përkrahin Ukrainën gjatë luftës me Rusinë. Pra edhe flamuri i Kosovës.

Federata ukrainase dhe ekipi përfaqësues i Ukrainës po e mbështesin një iniciativë të presidentit ukrainas, Vladimir Zelenski, për mbledhjen e fondeve për restaurimin e Ukrainës.

Si pjesë e kësaj kampanje, përfaqësuesja e Ukrainës do të paraqitet në ndeshjet kontrolluese me fanellat speciale që do të prodhohen në numër të kufizuar. Fondet e mbledhura në këto ndeshje si dhe nga shitja e fanellave do të ndahen për iniciativën U24.

Në fanellë është paraqitur kufiri i Ukrainës në formën e flamujve të vendeve që mbështesin këtë shtet në luftë ndaj pushtuesit rus.

“Ky është nderi dhe mirënjohja jonë për partnerët e huaj për ndihmën e tyre”, ka shkruar Pavelko.

Ndërkohë mediat serbe e kanë vlerësuar skandaloze fanellën e re të Ukrainës.

“Skandal: flamuri i Serbisë dhe i Kosovës në fanellën e njëjtë. Ukrainasit për shkak të luftës na vendosën afër vendit që nuk e njohin”, ka shkruar “mondo.rs”.