Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka nisur projektin për zhvillimin e futbollit të femrave, që do të jetë në kuadër të programit të financuar nga UEFA – “HatTrick”.
Ky projekt ka të bëjë me fuqizimin e lojtareve që kanë potencial për ekipet kombëtare, ka njoftuar të enjten FFK-ja, pasi ka mbajtur takim me lojtaret e përzgjedhura, transmeton Koha Ditore.
Sipas FFK-së, ky projekt është vazhdimësi i atij të mbajtur në dy vjetët e shkuar “Rekrutimi i vajzave të reja në futboll” dhe është pjesë e strategjisë së këtij institucioni për zhvillimin më të hovshëm të futbollit të femrave.
Pjesë e këtij projekti do të jenë nga dy lojtare të përzgjedhura të secilës grupmoshë prej të gjitha klubeve (seniore, U19 dhe U16), që do të stërvitin një herë në javë në Prishtinë me trajnerët e përzgjedhur nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së.
Gjithashtu, këto lojtare do t’u nënshtrohen edhe testeve fizike.