Sport

FFK-ja i “shmanget” pak futbollit, futet në biznesin e orëve

Futbolli nuk është gjëja e vetme prej të cilës Federata e Futbollit të Kosovës synon të realizojë të hyra. Të dielën FFK-ja doli me një “sihariq”, njoftoi se po bëhet pjesë e një biznesi të orëve. Madje prej këtij biznesi synon të përfitojë plot 500 mijë euro. Natyrisht, nëse i dalin llogaritë.

Misioni i FFK-së është organizimi i garave të futbollit në vend dhe organizimi i aktiviteteve të përfaqësueseseve të Kosovës. Por federata më e madhe në vend, që drejtohet nga Agim Ademi, e ka zgjeruar veprimtarinë e saj.

Në faqen zyrtare të FFK-së janë zbuluar të dhëna për një marrëveshje të Federatës së Futbollit të Kosovës për prodhimin e orëve zvicerane. Orëve të personalizuara.

“Federata e Futbollit e Kosovës në marrëveshje me Odën Ekonomike Zvicerane dhe brendin e njohur të orëve të veçanta zvicerane ka bërë marrëveshje që ta prodhojë një edicion të limituar të orëve të dorës, të cilat do të jenë të personalizuara me hartën e Kosovës dhe simbolet e FFK-së”, thuhet në njoftim.

Nuk është cekur emri i brendit, por sipas njoftimit çmimi i rregullt i këtyre orëve është 24 mijë euro.

“Por meqenëse është edicion i limituar dhe është bërë në marrëveshje me FFK-në, një orë e tillë do të kushtojë me 50 për qind zbritje nga çmimi i rregullt në treg, pra 12 mijë euro”, vazhdon njoftimi unik.

Organizatës së futbollit do t’i takojnë nga 1 mijë euro për çdo orë të shitur. Pra FFK-ja do të jetë një lloj dyqani i orëve.

“FFK do të përfitojë nga 1 mijë euro për çdo orë të shitur, që do të thotë se nga 500 orë sa do të jetë sasia e prodhuar, FFK do të përfitojë gjithsej 500 mijë euro”.

Hyrjen në biznesin e orëve, FFK-ja e ka prezantuar “të tjetër të arritur”. Marrëveshja është prezantuar një ditë pasi u bë shumë zhurmë për lloçin në stadiumin e Gjilanit, ku luajnë dy prej skuadrave aktualisht më të mira në vend, Drita e Gjilani.

“Pa dyshim, kjo do të jetë një tjetër e arritur e FFK-së në aspektin ekonomik. Këto orë mund t’i porosisë kushdo që ka mundësi dhe dëshirë për t’u pajisur me një orë të tillë të veçantë, qoftë në FFK apo direkt tek prodhuesi. FFK falënderon Odën Ekonomike në Zvicër dhe kompaninë prodhuese për bashkëpunimin e tillë, i cili pritet të sjellë leverdi të dyanshme”, njofton FFK-ja.

Pos për çështje futbolli, tani FFK-së qytetarët mund t’i drejtohen edhe për të blerë ndonjë orë. Por orë shumë të shtrenjtë.