Sport

Festa dhe reagimet pas rikthimit në Superligë të Flamurtarit

Pas gjashtë viteve të kaluara në Ligën e Parë dhe dy dështimeve në barazh, Flamurtari është rikthyet në elitën e futbollit të Kosovës, në mënyrën më të mirë të mundshme, si kampion.

Fitorja e shënuar të shtunën në Obiliq ndaj KEK-ut, 2:1, kishte vlerën e titullit, i cili iu dorëzua kapitenit, Fidan Hasanit, nga nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi, raporton KTV.

Në ndeshjen e zhvilluar të shtunën në “Agron Rama”, ishin vendasit që kaluan të parët në epërsi në minutën e 16-të, me golin e Gent Krasniqit.

Flamurtari pati rast të barazojë rezultatin në 1:1 nga pika e bardhë, por penalltinë e fituar nga Ajzeraj, nuk e shndërroj në gol Gëzim Syla, goditjen e të cilit e priti Llugaliu.

Rikthimi i Flamurtarit ndodhi në pjesën e dytë, ku i inkuadruari në lojë, Jurgen Gjini, shënoi të dy golat.

Të parin në minutën e 48-të, ndërkaq të fitores 18 minuta para fundit të ndeshjes.

Rrugën drejt Superligës, trajneri nga Shqipëria që drejton Flamurtarin, Samuel Nikaj, e ka cilësuar si shumë të vështirë.

Për ta rikthyer në Superligë skuadrën nga kryeqyteti, kishte ardhur në skuadër kapiteni, Fidan Hasani.

Kontribut të madh për suksesin e kuqezinjve, kanë dhënë, Visar Zogiani, Korab Hasani, Drilon Lladrovci e Shqipdon Ademi.

Për drejtorin e klubit, Agim Hasanin, rikthimi në Superligë ndodhi me meritë pas dy dështimeve në barazh.

Flamurtari përfundoi në vendin e parë me 68 pikë, sa kishte edhe Vëllaznimi në vendin e dytë, por duelet direkte ishin në favor të kryeqytetasve, gjë e cila përcaktoi kampionin e Ligës së Parë.