Bruno Fernandes nuk do të dënohet nga Federata e Futbollit e Anglisë, ndonëse shtyu gjyqtarin anësor në ndeshjen që skuadra e tij Manchester United e humbi thellë 7:0 nga Liverpooli, të dielën në “Anfield”.
Ishte raportuar se do të nisin hetimet ndaj portugezit, por që më vonë është konfirmuar se nuk do të ndërmerret asnjë masë. “Gjyqtari Andy Madley nuk e ka përfshirë në raportin e tij të lojës shtyrjen e Fernandesit dhe Federata nuk mund të ndërmarrë kurrfarë veprimi më tej”, shkruajnë mediume të ndryshme në Britani.
Unitedi duhet ta lërë prapa humbjen e thellë dhe të fokusohet për ndeshjen që do ta ketë të mërkurën kundër Real Betisit në 1/16 e finales të Ligës së Evropës. Unitedi eliminoi Barcelonën në plejof, ndërsa do të përballet me Betisin të mërkurën.