Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Fenomeni Mbappe po e arsyeton epitetin si Pele i ri

Kylian Mbappe vazhdon të fuqizojë vlerësimin e Arsene Wengerit se francezi është Pele i ri.

Mbappe të mërkurën shënoi tre gola në fitoren 5:1 të Paris Saint-Germainit ndaj Lyonit në gjysmëfinale të Kupës së Francës. Ai për herë të shtatë në karrierën jo shumë të gjatë ka shënuar tre gola në një ndeshje. Aq dominant dhe i suksesshëm është fituesi i Kupës së Botës sa që është e lehtë të harrohet që bëhet fjalë për një futbollist vetëm 21-vjeçar.

Paraqitja e tij ndaj Lyonit dhe të tre golat e tij, shfaqin aspektet e ndryshme të profilit të Mbappes si futbollist.

Po ashtu Mbappe ka dëshmuar edhe një herë se është në rrugën e duhur për t’u konsideruar si një prej më të mëdhenjve të të gjitha kohërave.

Në disavantazh herët në ndeshje, Parisit i është dashur një lojtar për të ngritur ekipin. Nuk ishte vetëm Mbappe. Ishte edhe Layvin Kurzawa fillimisht. Ai kreu shumicën e punës në golin e parë të Mbappes. Më pas Mbappe pati shumë momente të magjishme dhe vendosi sfidën.

“Ai luan me shumë besim, në mënyrë direkte dhe shfrytëzon me intelegjencë shpejtësinë që ka”, ka thënë trajneri i PSG-së, Thomas Tuchel.

Edhe Mbappe po e dërgon futbollin në një nivel tjetër Sport Mbappe po e dërgon futbollin në një nivel tjetër

Mbappe ka 30 gola e 17 asistime në 32 paraqitje këtë edicion.

“Mbappe fenomen? Po, ne jemi shumë krenarë me atë që bën ai. E dimë që ka kapacitet për gjëra të mëdha. Por nuk e dimë se sa larg mund të shkoj ai”, ka thënë bashkëlojtari i Mbappes, Pablo Sarabia.

Shumë tifozë të futbollit janë të brengosur për atë se kush do të mbulojë hapësirën që do të krijohet pas pensionimit të Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos. Mbappe çdo ditë e më tepër po e heq këtë dilemë.