Një notar me prejardhje nga Kosova ka dërguar në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Llozanë, Federatën e Notit të Kosovës. Adell Saboviq, që është me prejardhje nga Vitomirica e Pejës, ka synuar që të garojë për Kosovën në Kampionatin Botëror të Sporteve në Ujë që po mbahet në Doha të Katarit. Saboviq vlerësohet notar i mirë, por pretendimi i tij për të garuar për Kosovën, sipas FNK-së ishte “i kundërligjshëm”. Saboviq jeton në SHBA, ndërsa është pjesë e Princeton University.
Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Llozanë ka konsideruar se nuk ka juridiksion për të vendosur për rastin e hapur nga Saboviqi ndaj Federatës kosovare. CAS-i ka shkruar se rasti është i përfunduar dhe se do të hiqet nga lista e tij. Saboviq është urdhëruar që të paguajë 2000 franga zvicerane për FNK-në, si kontribut për shpenzimet që kishte federata.
Federata e Notit ka shkruar se e ka fituar rastin.
“FNK-ja fitoi rastin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Llozanë kundër Adell Saboviq. Federata e Notit e Kosovës ishte paditur padrejtësisht nga Adell Saboviq, i cili kundërligjshëm pretendonte të përfaqësonte Kosovën në Kampionatin Botëror të notit në Doha. Ky vendim nuk është fitore vetëm për federatën e notit, por për tërë sportin kosovar”, ka shkruar FNK-ja.
Federata ka konfirmuar se Eda Zeqiri dhe Mal Gashi do ta përfaqësojnë Kosovën në Botërorin në Doha. FNK-ja deri më tani nuk kishte dhënë ndonjë njoftim që ndaj saj është hapur rast në CAS. Madje për këtë nuk ishte i informuar as Komiteti Olimpik i Kosovës.
Në fakt Saboviq shumë muaj më parë ka kërkuar që ta përfaqësojë Kosovën. Madje edhe ka qëndruar në Kosovë ku ka pasur takim me ish-drejtues të Federatës së Notit të Kosovës. Ai kishte kërkuar që të garojë për Kosovën, ndërsa KOHA mëson se i ishte thënë se do t’i jepet rasti vetëm nëse ka rezultat për normë olimpike.
Janë edhe disa federata të tjera që në një mënyrë mbyllin dyert për sportistët me prejardhje nga Kosova e që janë të lindur e të rritur në vende tjera. Kjo bëhet edhe për të ruajtur raportet me klubet në vend, por edhe për të mos rrezikuar vendin e sportistëve që aktivitetin e zhvillojnë brenda Kosovës. Ndërkohë, disa federata sportive mezi presin të afrojnë sportistë me potencial, që kanë prejardhje nga Kosova. Një i tillë kohë më parë fitoi medalje të argjendtë në Kampionatin Evropian të taekwondos për juniorë. Federata e Futbollit e Kosovës afron po ashtu rregullisht sportistë me prejardhje nga Kosova që zhvillohen në vende tjera. Shquhet edhe Federata e Hendbollit, ajo e basketbollit e disa të tjera.
Për kontaktet me Saboviqin e më pas për procesin gjyqësor të tij ndaj FNK-së, deri të premten nuk ka pasur asnjë informatë.