Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Etrit Berisha në mesin e portierëve me më së shumti pritje

Ndonëse po paraqitet në njërën prej skuadrave më të dobëta në Serie A, portieri kosovar Etrit Berisha po shquhet me ndeshje të mira këtë edicion.

Reprezentuesi i Shqipërisë është pjesë e SPAL-it, që është i parafundit në kampionatin italian. SPAL-in e pret betejë e fortë në garë për të mbetur në elitën italiane, nëse nuk ka ndonjë vendim tjetër për shkak të koronavirusit. Dhe forma që ka kaluar deri më tani Berisha mund të trimërojë tifozët e skuadrës.

Faqja e specializuar për statistika në futboll, “Squawka”, ka shkruar të shtunën që Berisha është portieri i tretë në top-pesë ligat evropiane me më së shumti pritje këtë edicion. Berisha deri më tani ka bërë 107 pritje. Më shumë se ai kanë vetëm Aitor Fenandez i Levantes (126) dhe Martin Dubravka i Newcastles (117).

Pas Berishës janë Bernd Leno i Arsenalit me 104 pritje dhe Aaron Ramsdale i Bournemouthit me 101 pritje.