Erdhën së bashku në palestrën e Istogut. Nxehjen dhe zgjatjet i bënë po ashtu së bashku, por kur i nisën stërvitjet tipike, Era dhe Yllka u ndanë.
Era mori topin e basketbollit dhe nisi të gjuante në kosh në njërën anë, ndërsa Yllka me topin e hendbollit gjuante në portën që ishte në anën tjetër të palestrës.
Era Shatri është basketbolliste e Bashkimit të Prizrenit, kurse Yllka, motra e saj, hendbolliste e skuadrës së Istogut. Era e Yllka janë pjesë e një familjeje sportistësh.
Në familjen Shatri diskutimet kryesisht bëhen rreth basketbollit. Yllka është anëtarja e vetme në familje që nuk merret me sportin e koshit.
Zërina, Era, Orgesi dhe Oltioni janë motrat dhe vëllezërit e Yllkës që merren me basketboll. Prej gjashtë fëmijëve të familjes Shatri, vetëm motra e madhe, Fjoralba, nuk është e përkushtuar pas sportit.
Era tregon se si është të kesh në familje të basketbollit një hendbolliste. Yllkën e kishin ftuar që t’iu bashkohet në basketboll, por një sport tjetër me dorë i mori zemrën.
“Ne e kemi pasur privilegjin të rritemi në një familje sportistësh dhe atmosfera e çdo dite apo vikendi ka qenë me intensitet të madh, sepse kishim stërvitje apo ndeshje. Nganjëherë mami na kërkonte që të pushonim, sepse vetëm sporti ishte temë diskutimi. Kishim lojë unë, Zërina, Yllka. Në momentin që Yllka ka filluar me hendboll ne e kemi ftuar në basketboll, sepse ne ishim aty. Ajo erdhi për një periudhë, por hendbolli i ka fjetur më shumë në zemër”, është shprehur Era, që shtoi se në fillim Yllka nuk e kishte përkrahjen si fëmijët e tjerë.
“Në fillim, jo xhelozi, por ka pasur nevojë për më shumë përkrahje. Unë dhe Zërina u futëm në botën e basketbollit, kishim shumë lojë dhe prindërit vinin të na shihnin në secilën ndeshje. Ndonjëherë kur Yllka kishte lojë në ndonjë qytet tjetër, ata preferonin basketbollin dhe vinin te ne, kështu që për këtë Yllka xhelozonte. Por, tani prejse është bërë edhe palestra në Istog, ne të gjithë po e kemi më të lehtë ta përkrahim Yllkën”.
Shumë për basketboll, pak për hendboll
Yllka pranon se ndihet më e veçantë në familjen basketbollistike. Ajo thotë se shpesh nuk i kuptojnë kërkesat e saj si hendbolliste, por thotë se kjo është normale.
“Duke e ditur që vij nga një familje që është shumë e dhënë pas basketbollit, mund të them se unë ndihem më e veçantë pasi i jam përkushtuar hendbollit. Zakonisht të gjithë flasin për basketbollin dhe pasi t’i përfundojnë bisedat kthehen dhe më pyesin për hendbollin. Nuk i dinë të gjitha dhe çka kërkoj unë sepse jam hendbollistja e vetme e familjes”, tregon Yllka. Ajo zbulon se pse zgjodhi hendbollin para basketbollit. Istogu në vitet e fundit, falë punës së trajnerit Faruk Shala, është bërë qendër e rëndësishme e hendbollit në vend.
“Kur kam qenë e vogël, kam nisur me hendboll në garat e shkollës dhe si sport më ka tërhequr më shumë. Kështu që kam filluar me stërvitje në klub dhe ndihem mirë. Në hendboll më ka fjetur zemra dhe mendoj se jam në sportin e duhur, ndonëse e kam provuar edhe basketbollin”.
Yllka beson se do të ishte përshtatur në basketboll, gjë që e konfirmon edhe Era. Megjithatë, Yllka thekson se karakteri i saj më agresiv do të kishte bërë që shpejt të ngarkohej me pesë gabime personale.
Përderisa Yllka do të ishte përshtatur në basketboll, një gjë e tillë nuk mund të thuhet edhe për Erën, që pranon se është shumë më e butë se motra. Dhe në hendboll nuk ka shumë hapësirë për duele të lehta.
Pivote e qendër
Pozitat e motrave Shatri në fushë janë të ngjashme. Era luan qendër, nën kosh, ndërsa Yllka pivote, para portës.
“Duke e ditur që Era luan nën kosh dhe pret topat për të shënuar pikë, unë në hendboll e pres topin para portës, afër vijës dhe mundohem të shënoj gol apo të nxjerri ‘shtatëshe’. Gjithmonë i përcjell ndeshjet e Erës dhe ajo të miat. Mundohemi ta këshillojmë njëra-tjetrën. Unë i them asaj se duhet të bëhet paksa më agresive, por ajo është më e butë. Unë jam më e egër dhe po të isha në basketboll do të dilja shpejt me pesë gabime”, pranon Yllka. Ajo është 20 vjeçe dhe tri vjet më e vogël se Era.
Ndërkohë, Era është tri vjet më e vogël se Zërina, që është në SHBA, ku ka fituar bursë shkollimi dhe po luan. Zërina ishte prej basketbollisteve kryesore në Kosovë para se të shkonte në SHBA.
“Jam munduar si motër më e madhe ta këshilloj në lëvizje sportive dhe të jem afër saj edhe pse në një sport tjetër. Ndoshta sporti i hendbollit është më agresiv dhe Yllka është më agresive, kështu që është përshtatur. Hendbolli është më i ashpër, është fiks për Yllkën. Përshtatja e Yllkës në basketboll ndoshta do të ishte më e lehtë, por jo edhe e imja në hendboll, sepse karakteri im i butë nuk do të më lejonte ta jap më të mirën nga vetja sikurse në basketboll”.
Kur e sfiduan njëra-tjetrën, secila triumfoi në sportin e saj. Era ishte më efikase në basketboll, kurse Yllka në hendboll.
“Ne mundohemi të stërvitemi së bashku. Zakonisht kur garat në hendboll dhe basketboll përfundojnë më herët, ne dalim së bashku të vrapojmë. Mirëpo, kur vjen puna te stërvitjet tipike, Yllka merr topin dhe gjuan në portë, kurse ne të tjerët fokusohemi te topi i basketbollit. E rëndësishme është që stërvitemi bashkë dhe mundohemi të përmirësohemi”, thotë Era që ndihet krenare që janë reprezentuese.
“Arritja më e madhe për një sportist është kur e përfaqëson vendin e vet. Yllka këtë e ka bërë edhe me gjeneratat e reja, por edhe tani si seniore, gjë që e kemi arritur edhe unë e Zërina. Kështu që ne si reprezentuese i kemi bërë krenarë të gjithë familjen tonë dhe ata që na kanë përkrahur prej fillimit kur kemi nisur të merremi me sport”.
Sukseset e Zërinës dhe Erës, të cilat kanë fituar gjithçka që mund të fitohet në basketbollin kosovar, e kanë motivuar dhe vazhdojnë ta motivojnë Yllkën për t’u bërë më e suksesshme.
“Zërina ka fituar bursë dhe po luan në Amerikë. Ajo ka fituar edhe trofe në vend, sikurse edhe Era që është e suksesshme. Unë motivohem shumë nga motrat dhe synoj të shkoj hapave të tyre. Dua të jem e suksesshme sikurse ato”, tha Yllka.