Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ekipi i Kosovës në boks testohet për koronavirus

Foto: FBOXK

Ekipi i Kosovës në boks është testuar për koronavirus, pak minuta më parë, ndërsa rezultatet pritet të dalin brenda pak orëve.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli, për Koha.net.

Demolli në rrjetet sociale ka postuar edhe video duke u testuar. Ekipi i Kosovës është në karantinë në qendrën e studentëve në Prishtinë.

Ata janë në ditën e 16-të te qendra, që kur u kthyen nga Londra. Në Londër kishin marrë pjesë në turneun kualifikues për Lojërat Olimpike në Tokio. Turneu u ndërpre pas tri ditëve të garave, për shkak të rrezikut nga përhapja e koronavirusit.

Gjashtë pjesëmarrës në atë turne kanë rezultuar më vonë me koronavirus.

Demolli të mërkurën i ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës të testohen dhe të lirohen nga karantina në rast se dalin negativ.

Në Londër, Kosova mori pjesë me katër boksierë, dy trajnerë dhe ishte edhe zëdhënësi Demolli.

“Kanë marrë mostrat dhe na është thënë se rezultatet do të dalin pas katër orëve. Në rast se rezultatet dalin negative, atëherë ka gjasa të lirohemi sot në mbrëmje apo nesër në mëngjes”, ka thënë Demolli.

Artikuj të ngjashëm