Sport

E bronzta e Cenës në Evropian, dëshmi se ekipi i xhudos po rritet

Driton Kuka nuk dyshon në potencialin e Dardan Cenës, xhudisti 19-vjeçar, që para katër vjetësh la Prishtinën për ta mësuar xhudon në Pejë, nën urdhrat e tij. Por Kukën e ka befasuar paraqitja që Cena kishte të premten në Kampionatin Evropian për juniorë, që po mbahet në Pragë të Çekisë.

Dardan Cena, djalë i ish-xhudistit Anton Cena, ka fituar medaljen e bronztë në kategorinë deri 73 kilogramë. Bëhet fjalë për njërën prej kategorive me konkurrencën më të madhe. Dardani nuk ishte në mesin e bartësve, por shfaqi xhudo të nivelit të lartë dhe bëri që edhe një ngjarje e rëndësishme të jetë e suksesshme për Kosovën.

Ai nisi me fitore ndaj estonezit Artemi Larionov. Më pas e mposhti ukrainasin Anton Shuhalieiev. Në luftën e tretë, Cena fitoi ndaj sllovenit Nace Herkoviq. Në çerekfinale, xhudistin kosovar e ndali hungarezi Daniel Szegedi. Por Cena e kishte rastin përmes repesazhit. Petr Mlady i Çekisë e dorëzoi pa luftë përballjen me kosovarin, të cilit i duhej fitorja me hungarezin tjetër, Gergely Adorjani, për ta fituar medaljen e bronztë. Cena nisi mirë dhe realizoi aksion për uazari. Por hungarezi u përgjigj po ashtu me uazari. Cena megjithatë nuk u ndal. Realizoi tjetër aksion për uazari dhe shënoi fitoren më të madhe në karrierën e deritashme.

Por medalja e bronztë në Evropianin për juniorë nuk do të mbetet suksesi më i madh i Dardanit. Për këtë është i bindur përzgjedhësi i Kosovës, Driton Kuka. Ai nuk ishte në Pragë me ekipin. Dardanin e ka udhëhequr Fatos Tabaku.

“Dardani sot ishte befasi edhe për mua. Realisht ka cilësi dhe mundësi, por sot ishte i shkëlqyeshëm. Të them të drejtën, Dardani është emër që do të mbetet gjatë në skenë, me sukseset që do t’i arrijë”, ka theksuar Kuka për KOHËN.

“Puna sistematike po sjell emra të rinj dhe po rritet numri i xhudistëve që janë kandidatë për medalje serioze. Me Dardanin e kemi edhe një xhudist cilësor në ekip. Xhudoja për garuesit deri në 21 vjet është cilësore dhe shumë e fortë. Ndërkohë kategoria deri 73 kilogramë është jashtëzakonisht e fortë”, ka shtuar Driton Kuka.

Dardani, njëjtë si Laura Fazliu, ka lënë familjen për ta ndjekur ëndrrën për karrierë në xhudo. Dhe tani frytet e punës dhe sakrificës po vijnë. Dardani ka nisur të mësojë xhudo nga babai i tij, Antoni, ndërsa atë po e përsos në punë me trajnerin më të mirë në botë, Driton Kuka.

Në Evropian, të enjten garuan edhe Erza Muminoviq e Debora Gjakova. Erza u rendit e pesta në kategorinë deri 52 kilogramë, ndërsa një pakujdesi e la pa medalje. Trajneri Kuka është shumë i kënaqur me paraqitjen e Erzës, ndonëse ajo mbeti pa medalje. Ndërkohë, Debora Gjakova u ndal në luftën e parë në kategorinë deri 57 kilogramë. Edhe për të ardhmen e ndritur të Deborës, Kuka është më se i bindur. Puna në ekipin e kampionëve dhe me trajnerin e shumë sukseseve është garanci për këtë.