Të enjten Dukagjini i Klinës nis garën në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Pasi e kaloi Europan e Gjibraltarit në rundin e parë, Dukagjini për kundërshtar e ka skuadrën e njohur kroate, Rijeka. Ndeshja e parë zhvillohet në “Fadil Vokrri” në Prishtinë nga ora 19:00. Ndeshja e dytë është më 3 gusht në stadiumin “Rijevica” në Rijekë.
Natyrisht, Rijeka është kundërshtare dukshëm më cilësore se Europa e Gjibraltarit. Futbolli në Kroaci është nivel krejt tjetër krahasuar me futbollin në Gjibraltar.
Rijeka të shtunën nis edicionin 2023/2024 në kampionatin e Kroacisë. E nisi furishëm – me fitore 4:0. Në hapje të kampionatit, Rijeka fitoi bindshëm ndaj Rudeshit, që drejtohet nga legjenda Robert Prosineqki. Rudeshi u promovua në elitë, por në ndeshjen e parë humbi thellë në Rijekë. Kundërshtarja e ardhshme e Dukagjinit, Rijeka, kishte përkrahje të zjarrtë nga tribunat e stadiumit. Ndeshja u zhvillua para 5000 shikuesve.
Rijeka ka dominuar sidomos në pjesën e dytë, kur shënoi tri gola.
Te Rijeka megjithatë, respektojnë Dukagjinin.
“Do të jetë ndeshje e vështirë ajo në Prishtinë. Duhet të jemi shumë të mençur. Përndryshe, kam shokë kosovarë. Por është hera e parë që si lojtar apo si trajner do të jem mysafir në Kosovë”, ka thënë trajneri i Rijekës, Sergej Jakiroviq.
Rijeka kampionatin e kaluar e kishte përfunduar në pozitën e katërt.
Dukagjini siguroi ndeshjet me Rijekën falë dy fitoreve ndaj Europas. Në Prishtinë kishte fituar 2:1 e në Gjibraltar 3:2. Skuadra nga Klina të shtunën ka arritur në Kosovë. Do të ketë pak ditë në dispozicion, pas udhëtimit të gjatë dhe të lodhshëm.
“Do të japim më të mirën. Të gjithë lojtarët do të angazhohen maksimalisht. Rijeka është ekip i madh me lojtarë të njohur dhe do të jetë vështirë. Por natyrisht do të bëjmë çdo gjë për paraqitje sa më të mirë”, ka thënë Iljasa Zulfiu, sulmuesi i krahut i Dukagjinit. Ai shkëlqeu në rundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Shënoi tre gola.