Me golat e Hamdi Namanit (11’) dhe Ardian Limanit (40’), Drita e ka mbyllur pjesën e parë kundër Gjilanit me rezultatin 2:0, në ndeshjen që po luhet në enjten në stadiumin e qytetit të Gjilanit.
Kjo ndeshje i takon xhiros së 24 të Superligës së Kosovës në futboll dhe është derbi. Mesfushori Namani në minutën e 11-të përfitoi nga një gabim i mbrojtësit të Gjilanit, Ivan Fustar për të shënuar në portën e zbrazët dhe për ta zhbllokuar rezultatin.
Ndërsa, golin e dytë e realizoi Limani në minutën e 40-të kur gjithashtu shënoi në portën e zbrazët pasi kaloi portierin Enea Koliqi pas asistimit të Bujar Shabanit.
Ndërkohë, ndeshja tjetër e kësaj xhiroje që po zhvillohet në stadiumin “Zahir Pajaziti” të Podujevës, ndërmjet Arbërisë dhe Ballkanit është mbyllur me epërsinë minimale të ekipit nga Suhareka pas 45 minutave të parë.
Arbër Hoxha në minutën e 33-të ka kaluar Ballkanin në epërsi pas harkimit të Nazmi Gripshit.