Sport

Drita dhe Prishtina refuzojnë testimin turk për koronavirus, Superkupa në dyshim

Prishtinë, 18 janar – Ndeshja ndërmjet Dritës dhe Prishtinës, e vlefshme për Superkupën e Kosovës dhe e planifikuar të luhet më 23 janar në Antalya të Turqisë, mund të mos zhvillohet në këtë datë.

Të dyja klubet kishin bërë kërkesë në Federatën e Futbollit të Kosovës që ky duel të luhet në Antalya, për arsye të fazës përgatitore të cilën ekipet kosovare do ta kryejnë në qytetin bregdetar të Turqisë.

Megjithatë, janë vetë Drita dhe Prishtina që nuk do të pranojnë zhvillimin e Superkupës në Antalya, nëse testet e kryera në Kosovë për koronavirus nuk pranohen nga shteti turk. Prishtina do të niset drejt Antalyas të martën në mëngjes. Të njëjtën ditë do të udhëtojë edhe kampionia në fuqi e Superligës së Kosovës, Drita.

Drejtori i përgjithshëm i Dritës, Feti Murseli, ka thënë për KOHËN se e kanë njoftuar edhe Federatën e Futbollit të Kosovës për situatën që është krijuar. Ai e pranon se nuk është e sigurt se dueli i 23 janarit do të zhvillohet.

“Ne kemi qenë vazhdimisht në kontakt me Federatën e Futbollit, me Prishtinën dhe organizatorin. Ne i kemi treguar FFK-së se nuk mund ta luajmë ndeshjen e Superkupës nëse nuk pranohen testet për koronavirus të cilat do të bëhen në Kosovë. Ne jemi testuar sot dhe rezultatet do t’i marrim të martën. Nëse ndonjë lojtar rezulton pozitiv atëherë do të mbetet në Kosovë”, tha Murseli.

Sipas Murselit, e vetmja mundësi që përballja të mos dështojë është që të pranohen testet e kryera në Kosovë.

“E vetmja mundësi për t’u luajtur Superkupa më 23 janar në Antalya të Turqisë është nëse pranohen testet e Kosovës. Nëse do të ketë sërish teste në Turqi për ndeshje të Superkupës, atëherë vështirë që do të mund të luhet ndeshja. Arsyeja është se ne nuk kemi përvojë të mirë me teste jashtë vendit dhe nëse del dikush pozitiv, atëherë duhet të izolohet, pastaj duhet izolim edhe për personat që kanë qenë në kontakt dhe kështu e rrezikojmë fazën përgatitore. Do të shohim se çka do të ndodhë. Ekipi i Dritës udhëton të martën drejt Antalyas për fazën përgatitore”, deklaroi Murseli.

I të njëjtit mendim është edhe drejtori sportiv i Prishtinës, Fisnik Kërçeli. Ai e ka konfirmuar për KOHËN se i kanë kryer testet për COVID-19 në Kosovë dhe vetëm portieri Alban Muçiqi ka rezultuar pozitiv.

“I kemi kryer testimet për koronavirus. Vetëm një lojtar ka rezultuar pozitiv. Bëhet fjalë për Alban Muçiqin, i cili do të mbetet i izoluar në Kosovë dhe nuk do të udhëtojë me ekipin. Prishtina do të niset drejt Antalyas së Turqisë për fazën e fundit të përgatitjeve në ora tre të mëngjesit të së martës. Edhe ne mendojmë që nëse me testet që i kemi kryer në Kosovë mund të luhet Superkupa, atëherë është në rregull. Nëse duhen teste të tjera në Turqi për ndeshje të Superkupës, do të jetë rrezik. Shkaku i testeve jashtë vendit ne nuk kemi mundur të luajmë në garat evropiane. Në Kosovë rezultonin negativë, kurse jashtë vendit dilnin pozitivë dhe kjo është e rrezikshme”, u shpreh Kërçeli.

Sipas tij, Prishtina dhe Drita do të rrezikonin nëse do të testoheshin sërish në Antalya.

“Ne nuk dëshirojmë që ta rrezikojmë fazën përgatitore, e po ashtu edhe fillimin e kampionatit. Nëse ndonjë lojtar del pozitiv atje, atëherë duhet të izolohet dhe do të paraqiste problem të madh. Do të shohim se çka do të ndodhë, por mund të them se rrezikojmë shumë nëse do të kemi raste pozitive në Turqi. Kampionati po afrohet dhe mund të na shkojë sezoni huq”, tha Kërçeli.

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës kishte miratuar kërkesën e Dritës dhe Prishtinës që Superkupa të zhvillohet në Turqi. Kjo është hera e parë që FFK-ja vendosi që këtë garë ta zhvendosë jashtë Kosovës. Kjo u bë edhe për faktin se ndeshjet po zhvillohen pa praninë e shikuesve.

Në Federatën e Futbollit të Kosovës thonë se vendimi ende mbetet në fuqi, derisa të merret një tjetër.

Sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, theksoi se këtë çështje do ta diskutojnë të martën dhe do të shohim se si do të veprohet.

“Për momentin nuk mund të them asgjë. Ende nuk kemi diçka zyrtare. Të martën do të kemi takim dhe do të shohim se si do të veprohet. Komiteti Ekzekutiv ka vendosur që ndeshja të luhet në Antalya pas kërkesës së klubeve. Ne e kemi caktuar organizatorin për ndeshjen e Superkupës. Kuptohet që ne do të veprojmë në të mirë të klubeve”, tha Salihu.

Në FFK, të dyja klubet e madje edhe tek organizatorët nuk e dinë nëse duhen teste të tjera për ndeshjen e Superkupës. Skuadrat kosovare po zhvillojnë miqësore në Antalya, por për miqësore nuk duhen teste të tjera. Por nuk dihet nëse ato janë të nevojshme për ndeshjen e Superkupës që megjithatë është zyrtare dhe vendos për trofe.

Përveç Dritës dhe Prishtinës, fazën përgatitore në Antalya po e kryejnë edhe ekipet e tjera të Superligës, Llapi, Arbëria dhe Ballkani. Kurse, ekipet e tjera do të përgatiten në Shqipëri.

Nga Liga e Parë, fazën përgatitore në Antalya do ta kryejnë Malisheva dhe Dukagjini. Kostoja në qytetin bregdetar në Turqi për një fazë prej 15 ditësh, është 35 deri në 40 mijë euro.