Borussia Dortmundi kishte shpresuar se kolapset e vonshme dhe pyetjet rreth mentalitetit të skuadrës ishin një gjë e së kaluarës. Trajneri Edin Terziq ishte i pari në klub që mbikëqyri nëntë fitore radhazi në Bundesligë gjatë qëndrimit të tij të parë në krye të ekipit. Skuadra e tij e nisi këtë sezon me fitore ndaj Bayer Leverkusenit dhe Freiburgut, pavarësisht se nuk luajti veçanërisht mirë. Më pas erdhi tronditja e së shtunës kur Dortmundi vendosi një rekord të padëshiruar të Bundesligës.
Asnjëherë më parë në ligë një skuadër nuk kishte pranuar tre gola pas minutës së 88-të, siç bëri Dortmundi duke hedhur poshtë epërsinë prej dy golave për të humbur 3:2 në shtëpi ndaj Werder Bremenit të kthyer këtë edicion në elitë.
“Duhet të thuash gjithashtu se ne ishim pak me fat në dy ndeshjet e para. Kështu që, për këtë u ndëshkuam nga Bremeni”, pranoi kapiteni i Dortmundit, Marco Reus.
Papritur, të gjitha pyetjet e vjetra po bëhen përsëri. Sfida e titullit të Dortmundit po minohet nga dyshimet dhe pasiguria dhe Bayern Muencheni duket edhe më i sigurt për të fituar një titull tjetër rekord, të 11-tin rresht në ligë. Për këtë konstatim u deshën vetëm tri xhiro. Pavarësisht se përfundoi i dyti sezonin e kaluar, Dortmundi u nda me paraardhësin e Terziqit, Marco Rosen, pas një kampanje jokonsistente të karakterizuar nga humbjet në shtëpi dhe jashtë nga Bayerni dhe Leipzigu, së bashku me disfata të tjera zhgënjyese. Dortmundi përfundoi tetë pikë pas Bayernit, pavarësisht se rivali i tij humbi pikë në 10 ndeshje. Dortmundi doli nga Liga e Kampionëve në fazën e grupeve dhe u eliminua nga Kupa e Gjermanisë në raundin e tretë. Terziq, i cili e udhëhoqi Dortmundin drejt titullit të Kupës së Gjermanisë si trajner i përkohshëm sezonin më parë, u rikthye për këtë sezon me detyrën për të sfiduar sërish trofetë. Por deri më tani, pavarësisht përforcimeve verore në sulm dhe mbrojtje, Dortmundi nuk ka arritur të bëjë përshtypje. Golat e Julian Brandtit dhe Raphael Guerreiros kundër Bremenit ishin përpjekja e parë dhe e dytë e skuadrës në portë. Bremeni dominoi ndeshjen.
“Ishte një paraqitje shumë e dobët nga ne. Nuk arritëm ta kontrollonim lojën dhe lejuam shumë raste, si në pjesën e parë, ashtu edhe në të dytën”, pranoi trajneri Terziq. “Megjithatë, kur je në epërsi 2:0 deri në minutën e 88-të, duhet ta fitosh ndeshjen, edhe nëse nuk luan një lojë të mirë. Dhe mënyra se si pësuam golat ishte vërtet marrëzi”.
Dortmundi nuk mund të lejojë të humbasë pikë nëse dëshiron të sfidojë Bayernin këtë sezon – fuqia bavareze mposhti Bochumin 7:0 dhe ka bërë fillimin më të mirë që çdo ekip e ka bërë ndonjëherë në ligë me një diferencë golash prej plus 14 nga tri ndeshjet e para. Drejtori sportiv i Dortmundit, Sebastian Kehl, ende nuk i ka humbur shpresat për ta sfiduar titullin.
“Ne nuk do të dorëzohemi tashmë pas raundit të tretë”, tha Kehl. “Ne duam ta bëjmë Bundesligën emocionuese për të gjithë dhe nuk do të dorëzohemi, pasi do të kthehemi fuqishëm”
Dortmundi udhëton te Hertha e Berlinit, një ekip me vetëm një pikë deri më tani, pavarësisht paraqitjeve inkurajuese kundër Eintracht Frankfurtit dhe Borussia Moenchengladbachut. Kehl tha se ekipi do të përpiqet të mësojë nga shoku që ia shkaktoi Bremeni.
“Ne do të përpiqemi të gjejmë arsyet për këtë humbje befasuese, por gjithashtu do të shikojmë përpara”, tha Kehl. "Të gjithë kanë pritshmëri më të mëdha dhe duhet t'i përmbushin ato tani”.