Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Distria në Baku për ta testuar veten pas së artës olimpike

Baku, 4 nëntor (IJF) - Distria Krasniqi nuk ka rrathë të zinj, nuk ka pamje se nuk ka fjetur, nuk ka shenja lodhjeje, dhe pret me qetësi radhën për të bërë një test PCR për COVID-19. Distria është kampione olimpike në kategorinë deri në 48 kilogramë. Ajo e fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike të Tokios, që u mbajtën gjatë verës. Tokio ishte shenjtërimi i saj dhe konfirmimi se do të ketë një shkollë kosovare për një kohë në skenën botërore të xhudos. Tani, xhudistja kosovare është në Baku të Azerbajxhanit për të garuar në “Grand Slam”, që mbahet prej 5 deri më 7 nëntor, në të cilin paraqiten rreth 200 xhudistë nga 29 shtete. Distria është numri një në botë dhe me sa duket nuk ka askush që mund ta lërë nën hije, por në vetëm tre muaj gjërat kanë ndryshuar.

“Kam ardhur për të garuar në kategorinë deri 52 kilogramë”, thotë Krasniqi. “Është vendimi im për të marrë pjesë këtu, pasi kam dashur ta testoj veten”.

Ky është një ndryshim, por asgjë e re për xhudisten kosovare, sepse Distria tashmë ka marrë pjesë në këtë kategori. Në fakt, ajo ka fituar medalje të arta në “Grand Slam” dhe “Grand Prix” në kategorinë deri në 52 kilogramë.

“Është kategoria që më korrespondon më mirë”, pranon Krasniqi dhe përgjigjet në pyetjen se çfarë po bënte atëherë në kategorinë deri në 48 kilogramë. “Ishte si një operacion komando, një strategji afatshkurtër për të fituar medaljen e artë olimpike”.

Edhe pse plani i saj për të fituar të artën olimpike në kategorinë deri 48 kilogramë ka funksionuar, Krasniqi tre muaj më vonë ka vendosur ta ndërrojë sërish kategorinë dhe për këtë e ka një arsyetim të fortë.

Edhe IJF: Distria është produkt i pastër i shkollës kosovare të xhudos Sport IJF: Distria është produkt i pastër i shkollës kosovare të xhudos

“Sepse ruajtja e peshës është gjëja më e vështirë, aq sa nuk e kam shijuar xhudon”, tha ajo.

Pra, në xhudo ky është një problem dhe garuesit për shkak të kushteve dhe kufizimeve fizike, ndërrimin e kategorisë e shohin si opsionin më të mirë.

Distria është inteligjente dhe pasi tashmë ka medaljen e artë olimpike për gjithë jetën, ajo mund të përballojë përsëri për t’i korrigjuar gjërat.

“Në kategorinë deri 52 kilogramë më pëlqen ajo që e bëj. Më pëlqen të stërvitem dhe të garoj sërish. Kjo është ajo që është e rëndësishme për mua dhe kjo është arsyeja pse unë kam bërë ndryshimin e kategorisë”, shtoi Krasniqi.

Distria e kishte vetëm një muaj pushim pas Lojërave Olimpike të Tokios. Në fakt, ishte ky një pushim i plotë. Në muajin shtator, ajo i rifilloi stërvitjet. Ka udhëtuar e vetme në Baku, pasi pjesa tjetër e ekipit të parë të saj preferon të presë deri vitin tjetër. Për dallim prej të tjerëve, Distria dëshiron të shohë se ku është pas tre muajve pa garë dhe më shumë se një vit e gjysmë pa u përballur me kundërshtaret në kategorinë deri në 52 kilogramë. Ajo është një kampione olimpike, dhe sigurisht se të gjithë do ta shikojnë ndryshe në “Grand Slamin” e Bakusë.

Edhe Fillimi i vërtetë i Distrisë në kategorinë e re Sport Fillimi i vërtetë i Distrisë në kategorinë e re

“Ende nuk mund ta besoj, titulli olimpik është ende si një ëndërr”, shprehet Distria.

Mirëpo medalja e artë olimpike është një realitet për Distrinë dhe pa dyshim se kundërshtaret e saj nuk do ta marrin të lehtë përballjen me të. Në “Grand Slamin” e Bakusë, xhudistja nga Britania Chelsie Giles dhe hungarezja Reka Pupp do të duhet të shikohen në veçanti. Mirëpo ato me siguri tashmë po e shikojnë Distrinë me një sy krejtësisht tjetër pas suksesit të madh që e arriti në Tokio muaj më parë.