Distria Krasniqi ka mbetur pa medalje në Botërorin e xhudos që po mbahet në Budapest të Hungarisë. Distria garoi të dielën në kategorinë deri 48 kilogramë.
Në luftë për vend të tretë, Distria u mposht nga mongolezja Urantsetseg Munkhbat. Lufta ishte shumë e fortë, shumë taktike dhe zgjati afro dhjetë minuta. U vendos me dënime (3:2), ndërsa vendimi i fundit i gjyqtarëve ishte i diskutuar.
Distria pas një kohe të gjatë ka mbetur pa medalje në gara. Ajo ishte e treta në Botërorin e vitit 2019, të mbajtur në Tokio, ku në fund të korrikut do ta kërkojë podiumin në ngjarjen më të madhe – Olimpiadë.
Në të vërtetë, Distria në Botëror ishte bartësja e parë, pasi është e para në ranglistën botërore. Pengesën e parë, hungarezen Eva Csernoviczki, e kaloi pa luftë. Shënoi fitore të vështirë ndaj ruses Sabina Giliazova, ndërsa spanjollen Laura Martinez Ablenda e mposhti me “Ippon”. Por në gjysmëfinale u mposht nga japonezja Natsumi Tsunoda, që realizoi dy herë hedhje, duke e zënë të papërgatitur xhudisten pejane.
Me Munkhbat, kampionen e parë botërore nga Mongolia, Distria tani ka bilanc prej dy fitore e dy humbje.
Kosovën në Botëror e përfaqësojnë edhe katër xhudistë. Shpresohet për medalje në ditët e ardhshme. Në fakt xhudistët kosovarë nuk janë në gjendjen më të mirë për Botëror. Këtë e ka pranuar edhe trajneri Driton Kuka. Ata javë më parë ishin në një kamp të mbajtur në Slloveni, ku ngarkesa ishte maksimale. Dhe për Botëror nuk e kanë freskinë e duhur. Kampi shërben më shumë për Olimpiadë, ku është fokusi i gjithë xhudistëve. Forma më e mirë e xhudistëve kosovarë pritet në fund të korrikut, në Tokio.