Sport

Dhjetë talentët që mund të shkëlqejnë në Botërorin e Katarit

Gavi

Kanë mbetur edhe shtatë muaj deri te fillimi i kampionatit botëror “Katari 2022”. Në këtë turne pritet të dalin në skenë lojtarë të rinj, të cilëve tashmë po iu parashihet një e ardhme e ndritur. Këta talentë në Katar do të përfaqësojnë shtetet si Argjentina, Anglia, Gjermania, Gana, Meksika, Spanja dhe SHBA-ja. Botërori në Katar do të nisë më 21 nëntor dhe do të mbyllet më 18 dhjetor të këtij viti.

Image

Felix Afena-Gyan (Ganë)

Është befasuese të mendohet se 18 muaj më parë, Afena-Gyan i printe sulmit të ekipit në shkollën e mesme “Presbyteriane Berekum” në vendlindjen e tij, Sunyami. Tani, pas një rritjeje meteorike, ai po luan për Romën në Serie A dhe është i destinuar ta përfaqësojë Ganën në Kupën e Botës.

Afena-Gyan ka forcë dhe ekuilibër që i mundësojnë të fitojë topa në duele dhe të mos rrëzohet. Ai krenohet me ritmin e shpejtë dhe me aftësinë për të shënuar gola nga distanca, që ndonjëherë duken të pamundur.

Gana krenohet me golashënuesin më të mirë afrikan në historinë e Kupës së Botës, Asamoah Gyan dhe me lojtarë të tjerë legjendarë si Karim Abdul Razak, Abedi Pele dhe Tony Yeboah.

Afena-Gyan ka talentin dhe kohën për të hyrë në mesin e afrikanëve të dekoruar. Me 18 vjet e 306 ditë, Afena-Gyan u inkuadrua nga banka e rezervistëve për t’i shënuar golat e parë për Romën, në fitoren 2:0 ndaj Genoas në nëntor. Ai u bë lojtari i tretë më i ri i huaj që ka shënuar dy gola në një ndeshje të kampionatit italian, pas Alexandre Patos e Valeri Bojinovit. Pasi shënoi golin e parë, Afena-Gyan u afrua te trajneri Jose Mourinho, i cili ia kishte premtuar një palë këpucë sportive në vlerë prej 800 eurosh.

“Ai është një diamant. Është vështirë të besohet se është vetëm 19- vjeçar. Është kreativ dhe ka lëvizje shumë të mira. Po ashtu, ndihmon ekipin në mbrojtje”, ka thënë përzgjedhësi i Ganës, Otto Addo.

Image

Jude Bellingham (Angli)

I paepur fizikisht dhe teknikisht brilant, Jude Bellingham është krahasuar me dy nga mesfushorët më të mëdhenj të 30 vjetëve të fundit, Patrick Vieiran dhe Steven Gerrardin. Një tjetër prej tyre, Roy Keane, në shumë raste e ka lavdëruar Bellinghamin, i cili është pjesë e Borussia Dortmundit. Kohët e fundit shumë skuadra të mëdha po synojnë ta transferojnë Bellinghamin, për të cilin përzgjedhësi i Anglisë, Gareth Southgate, beson se mund të funksionojë si numër 6, numër 8 ose numër 10.

Kishin kaluar 140 vjet që kur një 17-vjeçar luajti plot 90 minuta për Anglinë derisa Jude Bellingham u aktivizua kundër Austrisë vitin e kaluar. Ai më pas u bë lojtari më i ri në histori të Evropianit - një rekord që Kacper Kozlowski i Polonisë e theu gjashtë ditë më vonë.

Pavarësisht se luajti vetëm një sezon për ekipin e parë të Birmingham Cityt, klubi anglez e tërhoqi fanellën me numër 22 të Bellinghamit kur ai u transferua te Dortmundi në vitin 2019.

“Potenciali që e ka ky fëmijë është i frikshëm. Ai ka përmasa të mira, duket si futbollist, duket si boksier. Ai është një djalë i fortë dhe i fuqishëm dhe Garethi është me fat që e ka në skuadër. Ai është një talent i jashtëzakonshëm”, ka thënë Roy Keane.

Image

Marcelo Flores (Meksikë)

Si është e mundur që dikush që nuk ka bërë asnjëherë një paraqitje elitare në nivel klubesh, të ketë një ndeshje ndërkombëtare në emrin e tij? Kjo dëshmon se Flores është vërtet i veçantë.

Trajneri i Meksikës, Tata Martino, është i bindur se Flores do të ketë një karrierë të jashtëzakonshme. Flores, i cili ka qenë i pandalshëm për skuadrat e të rinjve të Arsenalit, zgjodhi Meksikën në vend të Kanadasë dhe Anglisë. Pasi luajti me U20 në nëntor, Flores bëri debutimin te ekipi A i Meksikës në barazimin 2:2 ndaj Kilit. I quajtur “Messi meksikan”, Flores ka magjepsur Barcelonën dhe Paris Saint-Germainin. Flores u zbulua rastësisht teksa vizitoi të atin në Ishujt Kajman, ku punonte si trajner i përfaqësueses së femrave. Një skaut i Ipswich Town u mahnit nga talenti i Marcelos dhe pjesa tjetër është histori.

Ruben dhe Susan Flores kanë tre fëmijë dhe të tre janë futbollistë në klube të ndryshme londineze. Motrat e talentit te Arsenalit, Silvana dhe Tatiana, luajnë për Tottenhamin dhe Chelsean.

“Ai është një talent i madh. Është shumë emocionuese për meksikanët të kenë këtë lojtar në radhët e veta”, tha Tata Martino.

Gavi (Spanjë)

Gavi është produkt i “La Masias”, një hibrid Xavi-Andres Iniesta, që duket i destinuar të bëhet një nga lojtarët më të mirë në planet. Me vizionin e tij, kontrollin fantastik të topit dhe pasimet e driblimet e jashtëzakonshme, ai është një lojtar që po mahnit të gjithë. Gavi u bë lojtari më i ri në historinë 101-vjeçare të Përfaqësueses së Spanjës kur debutoi në tetor për ekipin e Luis Enriques. Ndërsa tani ai është i padiskutueshëm në mesfushën e Spanjës. Në tetor të vitit të shkuar, Gavi u bë lojtari më i ri që ishte titullar në “El Clasico”, ndërsa në shkurt të këtij viti u bë lojtari më i ri që shënoi gol kundër Atletico Madridit në La Liga.

Gavi, i cili do të jetë 18 vjeç e 110 ditë kur Spanja do ta fillojë kampanjën në Katar, do të bëhet lojtari më i ri që shfaqet për Spanjën në Kampionatin Botëror. Nëse shënon gjatë turneut, Gavi do të bëhet evropiani më i ri që ka shënuar gol. Rekordin e mban Michael Owen që shënoi me 18 vjet e 191 ditë, shënoi për Anglinë në vitin 1998.

“Ai është spektakolar. Ai është e ardhmja dhe e tashmja e Spanjës”, ka thënë Luis Enrique.

Image

Yunus Musah (SHBA)

Gareth Southgate i bëri një lutje personale mesfushorit Musah për ta zgjedhur Anglinë, por lojtari i lindur në New York zgjodhi të ishte pjesë e gjeneratës më emocionuese të SHBA-së. Lojtari që është pjesë e Valencias krenohet me fuqinë, ritmin e vrapimit dhe driblimin. Ai ka marrë frymëzim nga N'Golo Kante, Paul Pogba dhe Christian Pulisiq. Zyrtarisht Barcelona ka shprehur interesim për 19-vjeçarin, i cili tashmë ka 16 paraqitje për SHBA-në. Me 17 vjet e 337 ditë, Musah u bë lojtari i dytë më i ri që shënoi për Valencian në La Liga. Musah lindi në New York nga prindër ganezë. Ai u rrit në Itali dhe Angli, ku ishte pjesë e gjeneratave të reja të Arsenalit përpara se t’i bashkohej Valencias. Musah ka regjistruar 30 paraqitje për gjeneratat e reja të Anglisë para se ta zgjedhë SHBA-në.

“Secili ekip do ta ketë problem për ta ndalur. Ai vazhdimisht kërcënon, është shumë i shpejtë, i shkathët, i lëvizshëm dhe e mban topin afër këmbëve të tij”, tha përzgjedhësi amerikan, Gregg Berhalter

Image

Jamal Musiala (Gjermani)
 

Gjermania i ka shkaktuar disfata Anglisë ndër vite. Sigurimi i lojtarit për ekipin A, i cili ishte simbol i Anglisë në nivelet U15, U16, U17 dhe U21, mund të jetë një nga fitoret më të mëdha të Gjermanisë. Një driblues i shkëlqyer që mburret me energji të pakufizuar dhe gjuajtje të shpejtë, Jamal Musiala pritet të shkruajë trashëgiminë e tij. Tashmë një lojtar kyç për Bayernin, ai është një favorit për çmimin e lojtarit më të mirë të ri të Botërorit, të fituar nga Lukas Podolski e Thomas Muelleri. Me 17 vjet e 115 ditë, Musiala kaloi Toni Kroosin e David Alaban për t'u bërë lojtari më i ri që përfaqëson Bayernin në Bundesligë – rekord që e humbi nga 16-vjeçari Paul Wanner. Në Evropianin e vitit të shkuar, Musiala u bë lojtari më i ri që u paraqit për Gjermaninë në një turne të madh.

“Ai ka potencial të pabesueshëm. Ka cilësi të pabesueshme sulmuese edhe në driblimin e tij me topin. Ai ka bazën për një karrierë të jashtëzakonshme”, ka thënë trajneri i Bayernit, Julian Nagelsmann

Image

Pedri (Spanja)

Pedri është ndoshta adoleshenti më i përfolur në futbollin botëror. Pasimet e tij dhe mashtrimet e kanë bërë protagonist në rinovimin e Barcelonës dhe Spanjës. Aftësia e Pedrit për të mbajtur topin krahasohet vazhdimisht me atë të Lionel Messit, ndonëse më shumë po ngjan me Andres Iniestan.

Me 18 vjet e 215 ditë kundër Kroacisë në 1/8 e finales, Pedri theu rekordin e Wayne Rooneyt për t'u bërë lojtari më i ri që u paraqit në një ndeshje me eliminim direkt në Evropian. Pedri e ka fituar çmimin “Golden Boy”, që i jepet të riut më të mirë në Evropë. Fituesit e mëparshëm përfshijnë Wayne Rooneyn, Lionel Messin, Sergio Agueron, Kylian Mbappen dhe Erling Haalandin.

“Ai më kujton shumë Andres Iniestan. Nëse po flasim për talent të pastër, Pedri është më i miri në botë”, tha trajneri i Barçës, Xavi Hernandez.

Image

Ricardo Pepi (SHBA)

Sulmuesi Pepi është i fortë, i aftë për të mbajtur topin dhe për të futur të tjerët në lojë, lëviz në mënyrë të pakapshme dhe mund të shënojë gola të mahnitshëm. Lëvizja e fundit në Bundesligë, te Augsburgu, sigurisht që do ta ndihmojë ngjitjen e tij. I frymëzuar nga Cristiano Ronaldo dhe Gabriel Jesus, Pepi ka gjasa të jetë sulmuesi që do të shkëlqejë në Katar. Vitin e shkuar Pepi me 18 vjet u bë lojtari më i ri që ka shënuar “hat-trick” në MLS me fanellën e Dallasit.

“Ricardo Pepi është ndoshta golashënuesi më i mirë natyral që SHBA-ja ka pasur ndonjëherë. Golat e tij janë të ngjashëm me golat e Lewandowskit. Ai shënon në çdo mënyrë, nga kudo në fushë”, ka thënë ish-futbollisti amerikan Heath Pearce.

Image

Luka Romero (Argjentina)

Ai mund të jetë lojtari i vetëm pa përvojë në këtë listë, por ngritja e Romeros dëshmon se ka një mundësi për t'u bërë argjentinasi më i ri që luan në një kupë botërore. Perlë e Mallorcas, Romero u bë lojtari më i ri në historinë e La Ligas në vitin 2020, më i riu që përfaqësoi Lazion vitin e kaluar në Serie A dhe së fundmi u ftua te Përfaqësuesja e Argjentinës. Një lojtar i vogël, që luan me këmbë të majtë dhe me driblime të jashtëzakonshme, është një tjetër Lionel Messi me të cilin shpesh krahasohet Romero. Romero ka lindur në Meksikë, por u transferua në Spanjë si trevjeçar për shkak të babait të tij, një mesfushor mbrojtës që do të luante në ligat e ulëta të këtij vendi. Romero, i cili do të mbushë 18 vjet kur nis turneu në Katar, mund të bëhet lojtari i tetë më i ri që luan në Kupën e Botës.

“Nuk kam parë kurrë një fëmijë të moshës së tij me kaq talent apo vendosmëri të tillë. Ai stërvit me egërsi”, tha trajneri i Lazios, Maurizio Sarri.

Image

Florian Wirtz (Gjermani)

Florian Wirtz është një sulmues krahu fantastik. Një perandor me top, i cili ka këmbë të shpejta dhe qëndrueshmëri të fortë. Wirtz u shkatërrua kohët e fundit nga lëndimi i gjurit, por trajneri i Gjermanisë, Hansi Flick, është i vendosur ta marrë në Katar. Futbollisti i Bayer Leverkusenit, vetëm një muaj pas ditëlindjes së 17-të u bë shënuesi më i ri në historinë e Bundesligës, në qershor të vitit 2020. Megjithatë, Youssoufa Moukoko ia theu atë rekord.

Motra e tij, Juliane, e ndihmoi Gjermaninë të dilte nënkampione në Evropianin U19 në vitin 2019. Florian kaloi më mirë vitin e kaluar, duke frymëzuar Gjermaninë drejt triumfit në Evropianin U21.

“Floriani është i jashtëzakonshëm teknikisht. I pëlqen të luajë, është shumë kreativ, ka një goditje të fuqishme, nuk ndalon kurrë së vrapuari dhe është i shpejtë”, ka thënë Hansi Flick.