Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Derbi i futbollit që ndan ishullin francez në dysh

Përderisa pesë kartonët e kuq të dhënë në një ndeshje të vetme në Ligue 1 midis AC Ajaccio dhe SC Bastia (2012/13) ofrojnë një pasqyrë të historisë së tyre të rivalitetit, ngjarjet jashtë fushës që përfshijnë dy klubet shpesh kanë dominuar titujt kryesorë.

Telashet mes grupeve të tifozëve gjatë atij edicioni bënë që takimet e edicionin pasues të luheshin me dyer të mbyllura. Për rastësi, ndodhi që asnjë tifoz mos të ishte i pranishëm në duelin e prillit të vitit 2014, në të cilin Bastia e dërgoi Ajaccion një kategori më poshtë, me golin e shënuar në minutën e 88-të. Ai ishte takimi i fundit në nivelin profesional midis klubeve. Bastia, e zhvendosur në nivelin e pestë në vitin 2017 për shkak të parregullsive financiare, siguroi promovimin e tretë rresht edicionin e kaluar, për të arritur në Ligue 2.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Tetë vjet pas duelit të fundit në Ligue 1, Bastia triumfoi 2:0, ndërsa derbi i ishullit bëri rikthimin e shumëpritur në shtator të vitit të kaluar.

Të shtunën luhet derbi i dytë i këtij edicioni, në të cilin Ajaccio është vendase. Kjo ndeshje mund të ketë implikime të rëndësishme për të dy ekipet që gjenden në skajet e kundërta të tabelës.

“Derbi kundër Bastias është shumë i rëndësishëm për tifozët sepse ka të bëjë me dominimin rajonal”, tha tifozi i Ajaccios, Anthony Tognetti. “Jashtë futbollit, Ajaccio dhe Bastia kanë qenë gjithmonë rivalë.

Atmosfera mes tifozëve të dy klubeve mund të jetë e tensionuar, sidomos gjatë ndeshjeve. Në të kaluarën kanë ndodhur shumë incidente dhe tani e tutje udhëtimi i tifozëve gjatë derbive është i ndaluar”.

Rivaliteti gjeografikisht ndan ishullin mesdhetar të Korsikës midis dy qyteteve kryesore të tij.

“Bastia shihet si Korsika më e natyrshme, autentike, në krahasim me Ajaccion, që është më metropolitan”, shpjegon gazetari i futbollit Thomas Andrei, një mbështetës i Bastias. “Kur luajnë këto klube mes vete ishulli ndahet në dysh”.

Futbolli në “Ishullin e Bukurisë” është i lidhur me politikën dhe luftën për pavarësi - ka demonstrata të vazhdueshme pas sulmit ndaj një figure nacionaliste në një burg francez - dhe ndeshjet kundër ekipeve kontinentale shpesh nxehen. Bastia në veçanti ka një histori sanksionesh për problemet e tifozëve. Në vitin 2014, 44 oficerë policie u plagosën pasi dhuna prishi një ndeshje të Ligue 1 kundër Marseilles. Ndërsa në vitin 2016, një stacion policie u sulmua mes përleshjeve pas një ndeshjeje në Reims.

Një ndeshje kundër Lyonit duhej të anulohej pasi tifozët vendas pushtuan dy herë fushën dhe një nga drejtorët e klubit u përjashtua për një grindje me portierin e vizitorëve. Klubit iu mbyll stadiumi për tri ndeshje në vitin 2017, pasi tifozët fyen në baza raciste sulmuesin e Nicet, Mario Balotelli.

“Për mua ndeshja e Lyonit ishte vetëvrasja e Bastias”, shtoi Andrei. “Para asaj ndeshjeje stadiumi shihej si një vullkan - gjithmonë afër shpërthimit, por në fakt nuk ndodhi kurrë. Atë ditë, më në fund, shpërtheu. Futbolli është pasion në Korsikë. Edhe kur Bastia ra në kategorinë e pestë kishte 7000 tifozë në një ndeshje të Kupës së Francës”, thotë Andrei.

Në fushë është Bastia ekipi që mund të krenohet për suksesin më të madh karshi Ajaccios. Fituesi i Kupës së Francës në vitin 1981, gjithashtu, shkoi pranë lavdisë evropiane në vitin 1978, por humbi në finalen e Kupës së UEFA-s nga PSV Eindhoveni. Ka kaluar në total 34 edicione në elitën franceze, krahasuar me 13 edicionet e Ajaccios.

“Bastia është klubi historik. Konsiderohet nga shumë si klubi që përfaqëson me të vërtetë popullin e Korsikës. Ka më shumë mbështetës se Ajaccio”, tha Didier Rey, profesor në Universitetin e Korsikës.

Bastia ka kaluar edhe tragjedi. Në vitin 1992 një tribunë e përkohshme e ngritur në stadium për të akomoduar mbështetës shtesë për gjysmëfinalen e Kupës së Francës kundër Marseilles, u shemb pak para fillimit duke lënë të vdekur 18 njerëz dhe të plagosur më shumë se 2000. Në shenjë respekti ndeshjet nuk zhvillohen më me datën 5 maj, kur ndodhi tragjedia.

E zhvendosur në ligën amatore për shkak të parregullsive financiare në vitin 2017, Bastia është rikuperuar fuqishëm. Këtë edicion zë vendin e 15-të në kategorinë e dytë dhe është në garë të fortë për të evituar rënien.

“Mbështetësit e Bastias i frikësohen dominimit sportiv të Ajaccios. Ata kanë frikë të jenë të dytët pas Ajaccios. Kjo është ajo që e bën rivalitetin midis mbështetësve më të fortë”, tha Rey.

Ajaccio është shumë afër që të rikthehet në Ligue 1 pas një mungese nëntëvjeçare.

Tani në edicionin e tetë rresht në Ligue 2, Ajaccio është frustruar nga përpjekjet për t'u rikthyer në elitë. Katër vjet më parë, Ajaccio mbizotëroi në plejof kundër Le Havret, pasi ndeshja e parë duhej të riorganizohej kur autobusi i ekipit të Le Havret u sulmua para takimit. Por humbi promovimin në finale kur u mposht 4:0 nga Toulouse.

Kur pandemia solli ndërprerjen e edicionit 2019/20, Ajaccio ishte në pozitën e tretë me vetëm dy pikë larg liderit. Edhe këtë edicion, Ajaccio është në vendin e tretë dhe një pikë prapa vendit të dytë që dërgon automatikisht në Ligue 1, të cilin e mban Paris FC. Toulouse është lider me gjashtë pikë më shumë se Ajaccio, me 11 ndeshje të mbetura deri në fund.