Derbi i 100-të i regjionit të Ruhrit, ndërmjet Schalkes dhe Dortmundit, do të luhet të shtunën prej orës 18:30. I takon xhiros së 24-t të Bundesligës gjermane.
Schalke – Dortmund vlerësohet një prej ndeshjeve më të zjarrta në futbollin gjerman.
Aktualisht skuadrat kanë synime të kundërta.
Dortmundi, që është në vendin e dytë me 49 pikë sa ka edhe Bayerni në vendin e parë, synon titullin e kampionit.
Schalke në vendin e parafundit me 19 pikë, synon mbetjen në elitë.
Dortmundi ka goldallim më të dobët se bavarezët, por ka tetë fitore rresht në ligë në vitin 2023.
Dortmundi i ka fituar katër ndeshjet e fundit ndaj Schalkes, që është seria më e gjatë ndaj kësaj skuadre që prej viteve 1960.
Schalke, e pamposhtur në gjashtë ndeshjet e fundit, me çdo kusht kërkon ta fitojë këtë ballafaqim që t’i largohet zonës që dërgon një rang më poshtë në futbollin gjerman.
Dortmundi në edicionin 2018/19 ishte nikoqir i Schalkes në një moment kur mund të vendosej titulli kampion në Bundesligë. Schalke fitoi 4:2 në ndeshjen e tensionuar, ku kapiteni i Dortmundit, Marco Reus dhe Marius Wolfs, për pesë minuta morën dy kartonë të kuq në pjesën e dytë.
Ajo disfatë bëri që Dortmundi të mbetej dy pikë prapa Bayernit që e fitoi titullin.
Bayern të shtunën nga ora 15:30 do të luajë në shtëpi kundër Augsburgut.
Në ndeshjen e parë të zhvilluar në Augsburg këtë edicion, bavarezët u mposhtën 1:0, me një gol të shënuar nga Mërgim Berisha.
Berisha mbetet edhe në duelin e dytë rreziku kryesor për portën e Bayernit, që në mesjavë e eliminoi Paris Saint-Germainin në Ligën e Kampionëve.