Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Derbi bask në finale të Kupës së Spanjës

Derbi bask do të luhet në finale të Kupës së Spanjës në futboll këtë edicion. Për herë të fundit Real Sociedadi e Athletic Bilbao janë takuar në finale të Kupës së Spanjës plot 110 vite më parë, në vitin 1910.

Në finale të Kupës së Mbretit nuk janë skuadrat e zakonshme, Real Madridi e Barcelona, apo edhe Atletico Madridi e Valencia. Për trofeun e rëndësishëm do të luajnë dy skuadrat që formojnë derbin bask, Real Sociedadi e Athletic Bilbao.

Sociedadi finalen e siguroi të mërkurën, ndërsa të enjten ndeshjen finale e siguroi edhe Bilbao. Athletic Bilbao kishte fituar ndeshjen e parë gjysmëfinale ndaj Granadës me rezultatin 1:0, ndërsa në ndeshjen e kthimit pësoi 2:1 nga Granada. Në finale kaloi falë golit të shënuar si mysafir.

Carlos Fernandez dhe German Sanchez shënuan golat për Granadën. Yuri Berchiche shënoi golin vendimtar për Athletic Bilbaon në minutën e 81-të. Finalja e Kupës së Spanjës luhet më 18 prill.

Barcelona është skuadra më e suksesshme në “Copa del Rey” me 30 kupa të fituara. Athletic Bilbao ka fituar këtë trofe 23 herë, ndërsa Real Madridi 19 herë. Sociedadi e ka fituar vetëm dy herë Kupën.