Sport

Deçiqi, ekipi shqiptar i Malit të Zi

Edicioni 2020/21 i futbollit do të mbahet në mend gjatë nga shqiptarët e Tuzit në Malin e Zi. KF Deçiqi është pjesë e elitës së futbollit të Malit të Zi dhe ekipi i vetëm që përfaqëson shqiptarët në këtë rang të garave.

Në fakt, kjo skuadër udhëhiqet nga drejtuesit shqiptarë, të cilët kanë synime të mëdha për të ardhmen e këtij klubi. Kështu insiston Pal Dreshaj, i cili tashmë disa vjet mban pozitën e presidentit te KF Deçiqi, shkruan KOHA. Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që skuadra shqiptare është pjesë e elitës së futbollit në Mal të Zi.

Në të vërtetë, KF Deçiqi edhe në disa raste ka luajtur në kategorinë më të lartë të futbollit malazias por këtë herë është rikthyer fuqishëm dhe me synimet për të shijuar suksese të mëdha. Dreshaj insiston se ndryshimet në ekip tashmë kanë filluar të vërehen dhe ekipi ka marrë formë për të qenë stabil në elitë, në të cilën u inkuadrua si kampion i kategorisë së dytë.

“Kur kam ardhur në skuadër, më duhet të pranoj se gjendja nuk ishte aspak e mirë. Mirëpo, me vullnetin e shumë bashkëpunëtorëve kemi arritur që brenda një kohe të shkurtër të bëjmë ndryshime të mëdha”, është shprehur Dreshaj për KOHËN. “Nuk ishte aspak e lehtë, por pas një konsolidimi dhe punës së madhe që e kemi bërë të gjithë, kemi krijuar një skuadër stabile dhe kemi hartuar një projekt serioz që është mbështetur edhe nga Federata e Malit të Zi”.

Dreshaj me krenari tregon se KF Deçiqi ka një staf të madh, si dhe të gjitha kategoritë e reja, prej të cilave synon që në të ardhmen ta furnizojë ekipin e parë. Sipas tij, KF Deçiqi synon që këtë edicion të jetë i suksesshëm për shkak se nuk është rikthyer në elitë vetëm për pjesëmarrje. Këtë premtim Dreshajt ia forcojnë edhe rezultatet e kënaqshme që ekipi i ka regjistruar në fillim të këtij edicioni.