Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Danimarka synon mbrojtjen e titullit në Botërorin e hendbollit

Polonia dhe Suedia do të presin 32 prej përfaqësueseve më të mira në Kampionatin Botëror të hendbollit (meshkujt) që fillon të mërkurën mbrëma.

Kampionati Botëror i hendbollit do të përfundojë më 29 janar, ndërsa hapet me ndeshjen e Francës ndaj Polonisë, njërës prej nikoqireve. Vlera e Botërorit të 28-të të hendbollit është rritur për faktin që fituesit do të kualifikohen në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.

Kampionia aktuale, Danimarka, fillon si favorite e Botërorit. Danimarka shpreson të përfundojë para Francës, që e mposhti në finale të Lojërave Olimpike në Tokio.

Danimarka ka dy tituj të botës, që i ka fituar në dy kampionatet e kaluara, në vitin 2019 dhe 2021. Danezët do të sfidohen edhe nga kampionia evropiane Suedia dhe finalistja e Kampionatit Evropian, Spanja.

Sipas të gjitha gjasave Botërorin do ta fitojë një përfaqësuese evropiane. Përfaqësueset nga kontinenti i vjetër kanë fituar të gjithë Botërorët e deritashëm. Ngjarja globale mbahet prej vitit 1938.

Norvegjia e Gjermania janë përfaqësuese të tjera evropiane që pritet të shkojnë larg, ndërsa Islanda mund të jetë befasia e Botërorit.

Katari dhe Bahrejni, që luajtën në çerekfinale në Tokio 2020, pritet të jenë përfaqësueset kryesore aziatike. Kampioni i Afrikës, Egjipti, po ashtu mund të zë vend në podium, ndonëse do të jetë pa yllin Yahia Omar.

Edhe Sot luhet “finalja para finales” Botërori 2026 1 j. më parë Sot luhet “finalja para finales”

SHBA-ja kthehet në Botëror pas 22 vjetësh. Debutuesja e vetme është Belgjika.

Franca është përfaqësuesja më e suksesshme në histori të Kampionateve Botërore. Ka fituar titullin gjashtë herë. Nga katër tituj i kanë Suedia e Rumania, ndërsa Danimarka, Gjermania, Rusia e Spanja kanë nga dy tituj të kampionit.

32 përfaqësueset fillimisht do të jenë të ndara në tetë grupe. Tri prej katër përfaqësueseve nga secili grup avancojnë në raundin e dytë. Të mërkurën është vetëm ndeshja Franca – Polonia, që zhvillohet nga ora 21:00 në Katowice të Polonisë. Të enjten e të premten luajnë të gjitha përfaqësueset e tjera.