Festë të madhe bëri trajneri Ilir Daja të enjten mbrëma në Hungari. Kishte arsye të fortë për të festuar bashkë me lojtarët, stafin e trajnerëve dhe krerët e klubit të Ballkanit.
“Ai festim ka një spektër më të gjerë, sepse ndërthuren ndjenjat me pjesën e asaj sakrifice që kanë bërë lojtarët, stafi im, investimet e bëra nga presidenti dhe stafi i tij në rrugëtim deri në ndeshjen e kthimit. Është përgjegjësi e madhe ndeshja e kthimit sidomos pas një fitoreje me rezultat të thellë. Eliminimi nga një rezultat i favorshëm do të binte mbi trajnerin”, ka thënë trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, të premten për KOHËN.
Daja është trajneri i vetëm shqiptar që dy skuadra shqiptare i udhëhoqi drejt kualifikimit në fazën e grupeve të garave të UEFA-s. Nën drejtimin e trajnerit tiranas, klubi nga Suhareka siguroi për herë të dytë rresht kualifikimin në grupet e Ligës së Konferencës, garës së tretë të UEFA-s për nga niveli. 56-vjeçari udhëhoqi edhe Skënderbeun në fazën e grupeve të Ligës së Evropës në edicionin 2017/2018. I mbetet vetëm edhe Liga e Kampionëve.
“Është objektiv”, thotë trajneri i Ballkanit.
Megjithatë, Daja thotë se ndihet i plotësuar edhe me të arriturat e deritashme.
“Ndihem i plotësuar, sepse këto të arritura janë kulmi i karrierës sime. E kemi nisur me Skënderbeun, pastaj është vazhduar me Ballkanin, ku për herë të parë kemi dalë në grupet e Ligës së Konferencës dhe kemi përsëritur të njëjtin sukses. Përveç trofeve këto janë kulmet e karrierës për një trajner, pasi shumë nuk arrijnë ta bëjnë një gjë të tillë. E kam përjetuar tri herë dhe kjo është arritje maksimale”, ka theksuar Daja.
Ballkani i Suharekës është rritur vazhdimisht në vitet e fundit si klub i futbollit. Pikë kthese për të u dëshmua të jetë ardhja e trajnerit nga Tirana, Ilir Daja. Ai vazhdon ta udhëheqë skuadrën me shumë sukses. Ai thotë se meritë kanë të gjithë.
“Çdo trajner që e ka provuar rrugën e grupeve nuk e beson që do ta përsëritë të njëjtën gjë. Duket si një gjysmë ëndrre, po kur bëhet realitet merr tjetër dimension. Është një arritje historike ku brenda një viti Ballkani me futbollistët, presidentin, stafin në përgjithësi të kualifikohet në grupet e Ligës së Konferencës. Thjesht është e arritur e madhe”, është shprehur Daja.
Daja ka komentuar kundërshtarët që Ballkani do t’i ketë në edicionin 2023/2024 të Ligës së Konferencës. Kampioni i Kosovës është pjesë e Grupit C, të cilin e përbëjnë edhe Dinamo e Zagrebit, Viktoria Plzeni e Astana.
“Brenda mundësive do të përpiqemi ta japim më të mirën e mundshme dhe ta përfaqësojmë jo vetëm Suharekën, por edhe Kosovën në Evropë. Tre kundërshtarët janë më cilësorë në shumë drejtime duke nisur nga eksperienca, kualiteti i ekipit dhe infrastruktura. Me mundësitë tona do të mundohemi ta përfaqësojmë denjësisht futbollin e Kosovës”, ka deklaruar ai.
Daja qysh tash thotë se Ballkani synon sërish të dalë kampion i Kosovës.
“Gjërat bëhen hap pas hapi, që do të thotë se duhet të bëjmë prezantim të mirë në Kosovë. Të sigurojmë kualifikimet e Ligës së Kampionëve dhe të shohim më pas. Është një rrugëtim i gjatë, por është objektiv i parë”, ka thënë Daja.
Për shkak të sukseseve, emri i Dajës është lakuar shumë në opinion, sidomos në Kosovë. Është thënë se meriton ta drejtojë Shqipërinë apo Kosovën. Edhe Daja thotë se është kulmi për një trajner.
“Dëshira e çdo trajneri apo kulmi është të drejtosh ekipin kombëtar, qoftë të Shqipërisë apo Kosovës. Por, unë i respektoj trajnerët aktualë dhe dëshira është të vazhdoj me klube, sepse jam mësuar me punën e përditshme. Në një të ardhme jo të afërt do të kisha dëshirë që ta mendoja edhe pozicionin e përzgjedhësit”, ka thënë Daja.