Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja është ndarë i kënaqur me fitoren minimale 1:0 të ekipit të tij në ndeshjen derbi kundër Llapit. Golin e vetëm në këtë takim për Ballkanin që shënoi fitoren e pestë rresht në po aq ndeshje të luajtura në pranverë, e shënoi Ermal Krasniqi (74’). Daja tha se ka pritur që në këtë ndeshje të ketë pak raste, ku njërin prej tyre e shfrytëzuan për ta fituar takimin. Me këtë fitore, Ballkani mbetet lider në tabelë me 48 pikë të mbledhura.
“Kemi fituar një ndeshje të fortë ndaj një ekip i pretendent siç është Llapi. E kemi ditur se do të kemi pak raste pasi kështu është në një ndeshje derbi dhe arritëm ta shfrytëzojmë momentin me Krasniqin që shënoi. Patëm mungesa në ekip pasi Edvin Kuç u detyrua të largohet nga fusha shkaku i lëndimit kurse nuk luajti fare Armend Thaqi.
Mirëpo, e fituam një lojtar si Lindon Emërallhu që do të jetë i rëndësishëm për pjesën e mbetur të sezonit”, u shpreh Daja, i cili ndaj Llapit zhvilloi ndeshjen e tij jubilare si trajner.
“Jam i lumtur për fitoren dhe më vjen mirë që ndeshja ime e 400-të në karrierë u mbyll me fitore dhe shpresoj të vazhdojmë me këtë ritëm edhe në ndeshjet tjera. Ne do të kemi qetësi vetëm deri nesër kur do të fillojmë përgatitjet për ndeshjet tjera pasi kemi një orar shumë të ngjeshur. Duhet të vazhdojmë me këtë dëshirë të grupit deri në fund të sezonit”.