Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Daja e vlerëson të suksesshëm vitin 2022 për Ballkanin

Trajner i Ballkanit, Ilir Daja, ka folur pas barazimit me Prishtinën të shtunën 1:1, dhe e ka vlerësuar të suksesshëm vitin kalendarik të skuadrës suharekase.

Daja e fitoi titullin e kampionit me Ballkanin dhe shkoi deri në fazën grupore të Ligës së Konferencës.

“Duke llogaritur çfarë kemi bërë në këtë vit kalendarik, mendoj se ka qenë vit historik. Përveç që jemi shpallur për herë të parë kampion, kemi bërë prezantimin në Ligën e Konferencës. Kemi bërë shumë ndeshje dhe jemi prap në vend të parë me Dritën, me pikë të barabarta. Përveç prezantimit, kemi bërë kampionat të mirë, duke marrë parasysh intensitetin dhe ngarkesën që kemi pasur. Merita është e lojtarëve sepse kanë treguar karakter”, ka thënë Daja fillimisht.

Sa i përket ndeshjes, sipas teknikut nga Tirana, Ballkani është dashur ta shënojë edhe një gol tjetër për të qenë më i qetë deri në fund të lojës.

“Duhej të kishim bërë golin e dytë më shpejtë. Lodhja e ka bërë të veten gjatë gjithë kësaj kohe. Mbyllja e aktiviteteve ndikon te sportistët, pasi ata nuk e kanë përqendrimin e plotë. Sot kishim kundërshtar të fortë si Prishtina. Besoj që edhe me këtë mbyllje, lojtarët meritojnë komplimente për gjithë atë që kanë dhënë këtë vit”, ka vazhduar tutje Daja, i cili nuk ka dashur t’i komentojë shumë rastet diskutabile në këtë duel.

“Nuk jam marrë me arbitra dhe nuk e kam ndërmend të merrem. Kundër lojës me Trepçën, kanë qenë disa momente ku ka mundur të thirrej arbitri nga VAR-i. Nuk ishte faktor arbitri sot dhe nuk i kam parë rastet, sepse i kam pasur larg. Edhe nëse kanë bërë gabim, besoj se nuk e kanë bërë me qëllim. Njerëz janë edhe ata. Për rastet nuk mund të flas. Edhe për rastin e kartonit dhe për rastin e penalltisë kam qenë larg”, theksoi ai.

Artikuj të ngjashëm