Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Cockfield, MVP i xhiros së nëntë

Fundori i Proton Cable Prizrenit, amerikani Ty Cockfield është zgjedhur basketbollisti më i mirë i xhiros së nëntë të Superligës së Kosovës.

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), ka njoftuar se Cockfieldit, i ka takuar epiteti i MVP-së (lojtarit më të vlefshëm) të kësaj xhiroje.

Cockfield ishte më i merituari që Proton Cable Prizreni e mposhti skuadrën e Pejës, të mërkurën mbrëma, në ndeshjen e mbetur të xhiros së nëntë. Prizreni fitoi 108:103 pas vazhdimit prej pesë minutave, pasi koha e rregullt përfundoi me shifrat 92:92.

Në këtë fitore, Cockfield kontribuoi me 34 pikë, 13 kërcime dhe 9 asistime, duke e pasur indeksin e lojës 47, që është ishte më i larti për xhiron e nëntë.

Po ashtu, Cockfield ka pasur vendin edhe në pesëshen më të mirë të xhiros. Krahas tij, pesëshen me të mirë të xhiros së nëntë, e përbëjnë edhe Jalen Nesbitt (Ylli), Sammuel Sessoms (Vëllaznimi), Mikaile Tmushiq e Erjon Kastrati (Trepça).