Sport

City i Guardiolas nis edicionin e vështirë pas “tripletës”

Për Pep Guardiolan dhe lojtarët e tij të Manchester Cityt, rënia ka nisur nga edicioni më i mirë i klubit ndonjëherë.

“Ne u ngjitëm në malin më të lartë me atë që kemi bërë edicionin e shkuar”, tha Guardiola të enjten, duke iu referuar fitimit të Premier Leagues, Kupës dhe Championsit. “Dy ditët e fundit ne zbritëm nga mali”.

City të premten e hap edicionin e ri në Premier League me ndeshjen në udhëtim kundër Burnleyt. Guardiola e ka shumë mirë parasysh se për ekipin e tij nis puna e vështirë dhe për këtë tashmë ka paralajmëruar lojtarët, duke iu referuar orarit të gjatë. Sa u përket synimeve, ai thotë se është e pamundur të përsëritet edicioni i shkuar.

“Unë nuk mendoj se do të jetë e mundur të bëjmë përsëri atë që kemi bërë edicionin e kaluar. Ai sukses është një herë në jetë. Kështu u thashë edhe lojtarëve, sepse do të jetë shumë vështirë”, tha spanjolli.

City ka më shumë ndeshje në program – Superkupën e UEFA-s kundër Sevillas, që zhvillohet të mërkurën dhe pastaj është Kupa e Botës për Klube në Arabinë Saudite në dhjetor – dhe ekziston një ndjenjë e përgjithshme që City mund të ketë nevojë të forcojë skuadrën, veçanërisht në sulm, për ta përballur edicionin e gjatë.

Mesfushori Ilkay Guendogan ka shkuar te Barcelona dhe është zëvendësuar nga Mateo Kovaçiq. Është transferuar edhe mbrojtësi Joshko Gvardiol, me shumë gjasa për të zëvendësuar Aymeric Laporten, i cili pritet të largohet. City e ka shitur sulmuesin e krahut, Riyad Mahrez, në Arabinë Saudite dhe ende nuk e ka zëvendësuar me ndonjë blerje.

Cole Palmer, një produkt 21-vjeçar i akademisë, është parë si zëvendësues i mundshëm, por Guardiola nuk mund të garantonte se Palmer do të jetë në City deri në fund të afatit kalimtar. Një tjetër sulmues krahu duket i nevojshëm nëse City synon të jetë po aq i rrezikshëm sa edicionin e shkuar, me rivalët për titull Arsenal dhe Manchester United që janë forcuar gjatë këtij afati kalimtar. Kërcënimi më i madh për Cityn, megjithatë, ka të ngjarë të vijë nga brenda. A mund të zgjohen sërish lojtarët, Guardiola dhe stafi i tij? Kupa e Evropës më në fund u fitua dhe tani ka një objektiv tjetër të madh – City mund të bëhet skuadra e parë në histori që fiton ligën angleze në katër edicione radhazi.

“Ne duhet të sfidojmë veten”, insistoi Guardiola. “Stafi im duhet të më sfidojë. Më duhet t'i sfidoj ata dhe lojtarët. Ne duhet të shtyjmë njëri-tjetrin. Ne fillojmë përsëri. Do të shohim”.

Edicioni 2023/24 do të ketë ndeshje që do të zgjasin më shumë në Premier League. Në përpjekje për të përballuar rënien e kohës efektive të lojës, liga do të shtojë më shumë minuta në fund të çdo pjese për të kompensuar ndërprerjet për gola, zëvendësime, festime, humbje kohe dhe gjëra të tjera.

Premier League parashikon se ndeshjet do të zgjasin mesatarisht 3 minuta e 23 sekonda më shumë se edicionin e kaluar. Ndeshja e “Community Shield” të dielën, kur Arsenali mundi Cityn me penallti, tregoi rëndësinë që mund të ketë kjo. Arsenali shënoi golin e barazimit në minutën e 11-të të kohës shtesë për ta çuar ndeshjen në penallti.

Kur vjen puna te golat, City sërish do të mbështetet te sulmuesi Erling Haaland. Megjithatë, norvegjezi ka gjashtë ndeshje rresht që nuk ka shënuar gol. Edicionin e shkuar, Haaland ishte i jashtëzakonshëm me 35 gola dhe mbetet të shihet nëse llogarinë për edicionin e ri do ta hapë të premten mbrëma në stadiumin “Turf Moor”.