Manchester City u akuzua nga Premier League të hënën për ofrimin e informacioneve mashtruese në lidhje me financat e klubit, gjatë një periudhe nëntëvjeçare, kur klubi po përpiqej të stabilizohej si një forcë në futbollin anglez dhe evropian pas marrjes së tij në pronësi nga Abu Dabi.
Ky zhvillim shpërthyes erdhi në fund të një hetimi katërvjeçar nga liga më e njohur e futbollit në botë, pas rrjedhës së emaileve të klubit dhe dokumenteve nga zyrtarët e Cityt, që u publikuan nga revista gjermane “Der Spiegel” në nëntor të vitit 2018. Premier League lëshoi një deklaratë të gjatë të hënën, duke detajuar një listë me rreth 80 shkelje të supozuara të rregullave të saj financiare nga City, prej vitit 2009 deri në vitin 2018. Janë nëntë edicionet e para të plota nën pronësinë e familjes nga Abu Dabi. Në atë kohë, skuadra fitoi tre tituj kampioni në Premier League - 2012, 2014 dhe 2018 - që është bërë periudha më e suksesshme në historinë 143-vjeçare të Cityt.
Liga angleze gjithashtu e akuzoi Cityn për 30 shkelje të tjera në lidhje me dështimin e pretenduar për të bashkëpunuar në hetimin e zhvilluar që nga dhjetori i vitit 2018. Liga tha se ia ka referuar shkeljet një komisioni të pavarur përpara një seance dëgjimore. Në një deklaratë, City tha se ishte “i befasuar” nga akuzat, “veçanërisht duke pasur parasysh angazhimin e gjerë dhe sasinë e madhe të materialeve të detajuara që i janë dhënë Premier Leagues në lidhje me këtë çështje”.
“Klubi mirëpret shqyrtimin e kësaj çështjeje nga një komision i pavarur dhe pret që në mënyrë të paanshme të analizohen provat e pakundërshtueshme që ekzistojnë në mbështetje të pozicionit të tij”, tha City. “Ne presim që kjo çështje të vendoset njëherë e përgjithmonë”.
Premier League ka akuzuar Cityn për shkeljen e rregullave që kërkojnë ofrimin “me mirëbesim maksimal” të “informacionit të saktë financiar që jep një pamje të vërtetë dhe të drejtë të pozicionit financiar të klubit” dhe dështimin për të dhënë “detaje të plota të shpërblimit të trajnerit në kontratat përkatëse” nga viti 2009 deri në vitin 2013. Roberto Mancini ishte trajner gjatë asaj periudhe.
Shkelja e tretë dhe e katërt janë mospërputhja me rregulloret e UEFA-s nga viti 2013 deri më 2018 dhe rregullat e përfitimit dhe qëndrueshmërisë të Premier Leagues nga viti 2015 deri në vitin 2018.
Në veprën e pestë, City akuzohet për shkeljen e rregullave që kërkojnë nga klubet të “bashkëpunojnë dhe të ndihmojnë Premier Leaguen me hetimet e saj”, nga dhjetori i vitit 2018 deri në ditët e sotme.
City, kampioni në fuqi i Premier Leagues dhe klubi që zotëron disa nga lojtarët më të mirë në botë si Erling Haaland dhe Kevin De Bruyne, mund të rrezikohet nga një ndëshkim i rëndë.
Libri i rregullave të ligës i jep një komisioni disiplinor kompetenca për të vendosur një sërë sanksionesh plus shtrirjen më të gjerë të “dënimeve të tjera që do t’i mendojë se janë të arsyeshme”.
Një gjobë e madhe duket e pashmangshme nëse akuzat vërtetohen. Gjithashtu në lojë është një zbritje pikësh, një titull i anuluar apo edhe përjashtimi nga liga, sipas rregullave të Premier Leagues. City nuk e kundërshtoi kurrë se dokumentet e zbuluara nga “Der Spiegel” ishin autentike, por ka argumentuar se provat ishin vjedhur dhe raportuar jashtë kontekstit. Ndërsa City ishte nën hetim nga Premier League, klubi kishte një ndalim dyvjeçar nga garat evropiane të klubeve, të anuluar nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në vitin 2020, pasi UEFA vendosi që City kreu “shkelje serioze” të rregulloreve të ferplejit financiar nga viti 2012 deri më 2016.
City nuk u pastrua plotësisht nga keqbërjet, megjithëse Gjykata tha se disa nga akuzat nuk u vërtetuan ose nuk mund të gjykoheshin për shkak të një statuti kufizimesh në rregullat e UEFA-s. Nuk ka kufizime të tilla kohore për financat nën hetim nga Premier League. CAS-i gjithashtu gjobiti Cityn me 10 milionë euro për dështimin për të bashkëpunuar me hetuesit.
“Mospërfillja e hapur” e klubit duhet “të dënohet fuqishëm”, thanë gjyqtarët e CAS-it.
City është transformuar në një fuqi të futbollit anglez qëkur u ble, në shtator të vitit 2008, nga Sheikh Mansour bin Zayed Al Nahyan, zëvendëskryeministër i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe anëtar i familjes mbretërore të Abu Dabit. Nën pronësinë e tij, City – i cili më parë jetonte nën hijen e fqinjit Manchester United – ka fituar gjashtë tituj kampioni në Premier League, dy Kupa FA dhe gjashtë Kupa të Ligës angleze. Aktualisht, City është në vendin e dytë në mes të sezonit në Premier League, me pesë pikë prapa Arsenalit që ka edhe një ndeshje më pak të luajtur.