Sport

Cikël i ri, probleme të vjetra me portierët e Kosovës

Më 3 shtator, përfaqësuesja e Kosovës në futboll duhet të luajë ndeshjen e ardhshme. Me ndeshjen ndaj Moldavisë nis cikli i ri për “dardanët”, ai i edicionit të dytë të Ligës së Kombeve. Kosova do të luajë në grupin e tretë të Ligës C të Ligës së Kombeve të UEFA-s.

Kosova nis ciklin e ri me probleme të njëjta sa i takon portës. Ka kohë që situata nuk është më e mira e mundshme lidhur me portierët e Kosovës. Ata nuk paraqiten thuajse fare në nivel skuadrash.

Në të vërtetë, shpesh portierët kanë marrë vlerësime për paraqitje te Kosova, por mungesa e aktivizimit në nivel skuadrash vazhdimisht vlerësohet problem.

Arijanet Muriq aktualisht vlerësohet portieri i parë, ndërsa Samir Ujkani portieri i dytë. Ujkani ka qartësuar të ardhmen e tij në nivel klubesh, ndërsa Muriq ende jo.

Ujkani do të vazhdojë të jetë pjesë e Torinos edhe në edicionin e ardhshëm. Ai të martën vazhdoi kontratën me klubin nga Serie A deri më 30 qershor 2021.

“Klubi i futbollit Torino është i lumtur të njoftojë se ka rinovuar kontratën me Samir Ujkanin deri më 30 qershor 2021”, thuhet në komunikatë të Torinos.

Për një vit te Torino, Ujkani ka regjistruar vetëm një paraqitje në Serie A. Më 29 korrik, në xhiron e parafundit, qëndroi në portë për 90 minuta ndaj Romës. Pranoi tre gola.

Ndeshja e parafundit e Ujkanit ishte më 10 tetor të vitit të kaluar. Luajti 90 minuta për Kosovën në miqësoren ndaj Gjibraltarit. Ndeshje e kaluar e tij ishte ajo ndaj Danimarkës, më 21 mars të vitit të kaluar. Luajti një pjesë në atë miqësore.

Në nivel klubesh, ndeshje kishte luajtur edhe në fund të vitit 2018, dy për Rizesporin në Turqi. Pra ka rreth dy vjet që Ujkani është portier rezervë në nivel klubesh. Te Kosova deri tek ardhja e Aro Muriqit ishte portier i parë, por më pas humbi pozitën.

Ka pasur raportime se Muriq kishte pranuar të bashkohej me Kosovën, vetëm pasi iu premtua pozita e titullarit.