Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Chiellini e admiron Suarezin për kafshimin në Botërorin 2014

Luis Suarez ka marrë dënim të rëndë për kafshimin e tij famëkeq ndaj Giorgio Chiellinit, por mbrojtësi i Italisë pranon se e admiron sulmuesin e zjarrtë për veprimet e tij.

Saurez ngjalli reagime të shumta në vitin 2014, gjatë Botërorit, kur në ndeshjen shumë luftarake në mes të Uruguait dhe Italisë e kafshoi në krah Chiellinin. Ai shmangu dënimin në fushë, por më pas u dënua me katër ndeshje moslojë për veprimet e tij.

Chiellini po ashtu shquhet për angazhimin maksimal në fushë dhe e kupton se si Suarezi humbi kontrollin në atë ndeshje.

“E vërteta është që unë e admiroj dinakërinë e tij. Nëse Suarez nuk do të kishte atë, ai do të ishte lojtar mesatar”, ka thënë Chiellini në autobiografinë e tij “In Giorgio”.

“Asgjë e çuditshme nuk ka ndodhur atë ditë në Kupën e Botës. E kam ruajtuar Edinson Cavanin për shumicën e kohës, një tjetër djalosh i komplikuar, dhe nuk kemi lënë asgjë mangu. Papritmas e kam kuptuar se isha kafshuar në krah. Ndodhi, kjo është e gjitha, por kjo është strategjia e tij kur lufton nga afër. Është edhe e imja nëse mund të them”.

Chiellini nuk kërkon që Suarez të pendohet, ndërsa thotë se incidente të tilla janë të kuptueshme.

Ai vlerëson se është i ngjashëm me Suarezin, ndërsa pëlqen të përballet me sulmues si ai.

“E kam thirrur pak ditë pas ndeshjes, por ai nuk ka nevojë të më kërkojë falje. Edhe unë jam djallëzor në fushë dhe jam krenar për këtë. Dinakëria dhe keqdashja në një masë, janë pjesë të lojës. Nuk do t’i vlerësoja mashtrim. Ju duhet të jeni intelegjent për të tejkaluar kundërshtarin tuaj”, ka shkruar Chiellini.

Artikuj të ngjashëm