Trajneri i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Bernard Challandes e ka vlerësuar si shumë të vështirë kundërshtarin e parë të Kosovës në Ligën e Kombeve, Azerbajxhanin.
Ai ka deklaruar në konferencë për media se Azerbajxhani është favoriti i Grupit, megjithatë thekson se kjo është një mundësi shumë e mirë për Kosovës që të arrijë Evropianin 2020, raporton KTV.
“Është një aventurë e re Liga e Kombeve, është shumë interesante për ne, për Kosovën, po ashtu kundër Azerbajxhanit. Na jep mundësi për kualifikime në Evropian, pasi luajmë me shtete të kualitetit tonë. Është rrugë e jashtëzakonshme për këtë garë, për në Evropianin 2020”, shprehet ai.
Trajneri zviceran ka thënë se ka shikuar të gjitha ndeshjet e fundit të Azerbajxhanit.
“Është e qartë kemi informacione, është puna ime për kërkime të të gjitha informacioneve. I kam parë të gjitha ndeshjet e Azerbajxhanit. Nëse e shoh rangimin në UEFA është shteti më i fortë në këtë grup. I kam parë kualifikimet në Botërorin e Rusisë. E shoh Azerbajxhanin kishte 10 pikë, kurse Kosova vetëm një pikë. Azerbajxhani kishte paraqitje të mira. I kam përcjellë edhe miqësoret e Azerbajxhanit. Tani ndoshta është një sezon i ri, dhe ndërron paksa një, dy, tre apo pesë futbollistë, por e shoh se Azerbajxhani mund të luajë futboll të mirë në ofensivë, dhe do të jetë shumë e vështirë për ne”, ka deklaruar Challandes, raporton KTV.
Edhe
Challandes për KOHËN: Grupi është i fortë, por kualifikimin mund ta ëndërrojmë
Ai më tutje ka shtuar se, “është grup i vështirë në Ligën D sepse kemi Kosovën ekip të mirë, Azerbajxhanin, Ishujt Faroe nuk janë të lehtë për askënd, njësoj si Malta”.
“Ky Grup për mua është shumë i vështirë. Azerbajxhani është favorit. Është realitet i futbollit, e kemi edhe ranglistën e UEFA-së, jemi ekip shumë i ri, ekip me shumë futbollistë të ri. Kemi bërë vetëm një fazë të kualifikimeve, dhe nuk mund të vijë në konferencë për për shtyp e të them se do t’i fitojmë ndeshjet, dhe do të kualifikohemi, dhe se Azerbajxhani nuk është ekip i mirë. E di se futbolli tani nuk është i lehtë, nëse Portugalia luan kundër Ishujve Faroe, nuk do ta ketë të lehtë. Dhe për këtë arsye kam respekt për të gjitha ekipet. Azerbajxhanin, Maltën e të tjerët. Të gjitha ekipet janë të mira dhe nuk do të e lehtë për askënd në këtë grup”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se Kosova është shtet i veçantë, i ri, me shumë futbollistë të rinj.
“Sot kemi shumë futbollistë nga Gjermania, Belgjika, Austria, Holanda, Norvegjia etj. Dhe është shumë mirë për ne. Do të jetë shumë e vështirë për secilin ekip në këtë grup, por qartë Azerbajxhani e ka mundësinë për të fituar Grupin”, ka thënë Challandes.
Edhe
Challandes vlerëson grupin
Kosova do të jetë pa lojtarin kryesor, Valon Berisha, dhe Challandes ka deklaruar se do të provojë të gjejë zëvendësuesin më të mirë të tij.
Futbollistët e Kosovës sot kanë mbërritur në Azerbajxhan dhe nesër nga ora 18:00 do ta zhvillojë ndeshjen e parë në Ligën e Kombeve.