Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Bunjaku ka bindur që në debutim

Mesfushori ofensiv, Orges Bunjaku ka bindur që në paraqitjen e parë me skuadrën e madhe zvicerane, Basel. Bunjaku 18-vjeçar debutoi në fundjavë për Baselin në Superligën e Zvicrës. Ai kontribuoi me asistim në fitoren 4:0 ndaj Zuerichut.

Luajti 63 minuta. Bunjaku është “produkt” i Akademisë së Baselit. Me ekipin e parë është bashkuar muajin e kaluar, ndërsa më parë ka luajtur me ekipin U-21 dhe ekipet e grupmoshave më të reja, raporton Koha Ditore. Ai është pjesë e U-19 të Zvicrës.

“Ai është paraqitur shumë mirë. Ai madje kishte një asistim. Kjo dëshmon se lojtarët e rinj dhe të talentuar që i kemi në skuadër, por që shihen rrallë kanë aftësi”, ka thënë legjenda e Baselit, Erni Maissen për “telebasel.ch”. “Ai na ka treguar nga fillimi se është i vlefshëm.

Erdhi në kamp stërvitor dhe nga dita e parë menjëherë bëri të qartë se nuk është vetëm për të stërvitur, porse dëshiron të luajë. Është paraqitur mirë edhe në ndeshje miqësore. Ai vërtet po imponohet në ekip.

Kjo është gjëja e mirë, ndërsa ai tani është shpërblyer për këtë”, ka thënë drejtori sportiv i Baselit, Ruedi Zbinden. Te Baseli janë edhe Taulant Xhaka, Edon Zhegrova e Kemal Ademi. Disa lojtarë tjerë të rinj janë në pritje të debutimit.

Artikuj të ngjashëm