Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Brazili zgjedh Evropën për përgatitje për Botëror

Përfaqësuesja e Brazilit do të përgatitet në Evropë për Kupën e Botës që zhvillohet në Katar.

Përgatitjet do të nisin më 14 nëntor, por lokacioni ende nuk është bërë i ditur, ka thënë Juninho Paulista, koordinator i Përfaqësueses së Brazilit në futboll.

Juninho po ashtu ka thënë se skuadra do të udhëtojë në Katar më 19 nëntor, pesë ditë para ndeshjes hapëse kundër Serbisë. Kundërshtarët e tjerë të Brazilit në Grupin G janë shqiptarët me Zvicrën, si dhe Kameruni.

“Do të mblidhemi në Evropë për shkak që lojtarët që janë atje ta kenë më afër. Kemi vetëm një javë kohë për t’u përgatitur dhe duhet ta kursejmë kohën”, ka thënë Juninho në një emision me ish-bashkëlojtarin dhe fituesin e Botërorit 2002, Denilson, shkruan “Associated Press” të shtunën.

Katër vjet më parë, Brazili nisi përgatitjet në Teresopolis, në veri të Rio de Janeiros, më pas shkoi në qendrën stërvitore të Tottenhamit në Londër për 10 ditë, e më pas udhëtoi në Rusi.

Brazili humbi 2:1 nga Belgjika në çerekfinalen që u zhvillua në qytetin Kazan të Rusisë, në vitin 2018.

Brazili do t’i zhvillojë dy miqësore në muajin e ardhshëm në Azi. Do të luajë kundër Koresë së Jugut në Seul dhe kundër Japonisë në Tokio.

Artikuj të ngjashëm