Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Boksieri shqiptar Prenga mund me nokaut argjentinasin Ramirez

Boksieri shqiptar Kristian Prenga arrin një tjetër fitore. Në një eveniment të zhvilluar në Kanada, 27-vjeçari triumfoi me knockdown ndaj kundërshtarit argjentinas Ramirez që në raundin e tretë. Prenga e dominoi rivalin duke siguruar fitoren e 8-të.

Kristian Prenga di vetëm të fitojë. 27-vjeçari nga Oroshi i Mirditës ka triumfuar edhe në duelin e radhës në boks ndaj argjentinasit Ricardo Humberto Ramirez madje duke e mbyllur përballjen me Knockdown.

Në Air Canada Centre në një eveniment madhështor, ku, përveç duelit të boksit Prenga-Ramirez, kishte edhe përballje të tjera, Kristiani e dominoi totalisht kundërshtarin duke dhuruar një boksim mjaft të mirë dhe duelin e fitoi që në raundin e tretë me knockdown.

Ajo që merr rëndësi është fakti se ky eveniment ku boksoi edhe shqiptari Prenga u transmetua në SHBA nga USA Showtime dhe promotor ishte GYM Promotions dhe boksieri i famshëm Floyd Mayëeather. Ky ishte dueli i radhës i fituar nga sportisti Kristian Prenga në kategorinë e boksit ku ka një bilanc tepër pozitiv.

Në 9 ndeshje në boks Prenga ka fituar 8 dhe ka humbur vetëm 1. Kujtojmë që Kristian Prenga me herët ka garuar në kategorinë e kickboxing ku në vitin 2016-të u shpall edhe kampion i Europës. Pas triumfit të radhës nëpërmjet rrjeteve sociale Prenga ka përcjellë edhe një mesazh për mbështetësit e tij duke falënderuar edhe Zotin që e shpërbleu për punën dhe lodhjen drejt suksesit.