Leo Besson është një prej lojtarëve të rinj që i është bashkuar Përfaqësueses së Kosovës, përkatësisht grupmoshës U-21. Ai shpreson që shpejt të zërë vend edhe në përfaqësuesen A, ndonëse pranon se i duhet punë për t’u bërë numri një te Kosova. Por Besson shton se do të punojë fort për “ta përfaqësuar me dinjitet Kosovën”.
Në të vërtetë Besson është ende shumë larg niveleve që e fusin në konkurrencë për të parin e portës së Kosovës.
Ai mburret që do të jetë pjesë e Shpresave të Kosovës për dy ndeshjet miqësore në Doha të Katarit, më 26 dhe 29 mars.
“Për mua është një nder i madh ta përfaqësoj dhe ta jap kontributin tim për Kosovën nëpërmjet futbollit”, ka thënë Besson të martën për KOHËN.
Besson është portier i ekipit U-21 të Servettes në Zvicër. 18-vjeçari këtë edicion ka katër paraqitje me skuadrën zvicerane.
Karriera e Bessonit nuk ka nisur si portier. Ai thotë se ka qenë mbrojtës. Goxha i ashpër madje.
“E kam nisur karrierën në futboll si 5-vjeçar në një klub lokal, Aire-Le-Lignon, ku jetoj, në periferi të Gjenevës. Si gjithë shokët e mi karrierën e kam nisur si lojtar, përkatësisht mbrojtës dhe kam qenë shumë i ashpër me këmbë. Por, pastaj ndërrova pozicion dhe hyra si portier”, ka treguar Besson.
Portieri 187 centimetra i gjatë nuk është pishman që ka vendosur të ndërrojë pozicion.
“Babai im ka qenë portier dhe e ka pasur si pasion. Ai më ka dhënë vullnet dhe përkrahje për të marrë rrugën e tij dhe për të qenë një portier i suksesshëm”, ka thënë portieri Besson.
Kontaktin me Kosovën thotë se e ka pasur nëpërmjet menaxherit Lorenzo Falbo.
“Menaxheri im ka kontaktuar me disa menaxherë të ekipit U-21 të Kosovës dhe përmes tij jam njoftuar”.
Besson u lind në Zvicër, ndërsa nëna e tij është nga Deçani. Mbiemri nuk tregon për ndonjë lidhje me Kosovën, por ai insiston se ka lidhje të fortë. Sipas përgjegjësve të Shpresave, babai i Leos është zviceran.
“Nënën e kam kosovare dhe kam lidhje të fortë me familjen në Deçan. Kosovën e vizitoj nganjëherë, por jo aq sa kam dëshirë për shkak të angazhimeve me futboll dhe kjo bën të ma kufizoj lëvizjen e shpeshtë. Por, tash me përfaqësuese do ta kem mundësinë të vij më shpesh në Kosovë”, ka thënë Besson.
Ai pret të jetë i rregullt te Kosova, ndërsa thotë se do të luftojë për ta siguruar edhe ngritjen tek ekipi A i “Dardanëve”.
“Për mua është një ëndërr të arrij të bëhem portier i parë në ekipin A të Kosovës dhe do të luftoj, duke e dhënë maksimumin për të qenë në nivelin më të lartë për ta përfaqësuar Kosovën me dinjitet”, është shprehur Besson.
Synime të mëdha ka edhe te klubi Servette.
“Qëllimi im është të jem portier i parë i ekipit senior të Servettes. Për momentin dua të koncentrohem këtu në Zvicër te klubi im dhe të fitoj përvojë sa më shumë, duke e dhënë kontributin tim e pastaj të shohim nëse do ta fitoj rastin të luaj në ndonjë klub të njohur evropian”, ka thënë ai.
Besson është duke u zhvilluar te Servette. Por para se të ftohej nga klubi i njohur zviceran, ai dëshmoi vlerat tek Aire-LeLignon. Thotë se është zhvilluar shpejt dhe se arritja më e madhe është ftesa që ka pranuar nga Përfaqësuesja U-21 e Kosovës.
“Kam pasur edhe momente të tjera të mira. Janë ndeshjet që i kam zhvilluar nëpër turne kundër ekipeve të mëdha, si Benfica, Juventusi, Real Madridi, Barcelona dhe disa klube të tjera të njohura evropiane”, ka thënë Besson.