Sport

Besar Beqiri, arbitri i futsallit kosovar që po synon Evropën

Besar Beqiri është një nga arbitrat e futsallit kosovar që po dëshmohet në ndarjen e drejtësisë në terrenet sportive, dhe tani synon që të arrijë të ndajë drejtësinë edhe në arenën ndërkombëtare

Ish-portieri i Drenicës, pak vite më parë është ndarë nga futbolli i madh, por jo edhe nga futbolli.

Beqiri është duke treguar performancë të lartë në ndarjen e drejtësisë në futsall. Ai tashmë ka edhe stemën e UEFA-së, derisa në sezonin e fundit ishte njeri ndër arbitrat më të suksesshëm.

Beqiri në një intervistë për KosovaPress, flet për referimin në futsallin kosovar dhe për sfidat evropiane. Ai mendon se sezonin i fundit ishte një nga kampionatet më të mira deri tani.

“Atëherë referimi në futsall shkon shumë mirë. Është një ndër kampionatet më të rregullta që ka përfunduar me referim kjo sezon, duke ju falënderuar edhe Federatës së Futbollit, që kemi pasur edhe disa seminare në futsall. Tashmë kemi bërë një përvojë të duhur, që jemi afër gjashtë vite që referojmë vetëm në futsall, do të thotë që është i ndarë referimi prej referëve të futbollit të madh dhe kështu që ka përfunduar mjaft mirë me plot sukses ky kampionat i rregullt në futsallin e Kosovës”, ka thënë Beqiri.

Ai thotë se futsalli është lojë atraktive, ku arbitri duhet të jetë shumë sy çelë, sepse sipas tij, brenda 10 sekondave duhet të merren vendime të rëndësishme.

“Dallimi është që është një lojë më atraktive, një lojë ma e shpejtë, dhe duhet të jetë shumë ma sy çelë një refer që të sheh gjithçka brenda dy tre sekonda afërsisht 10 sekonda t’i merr dy tre vendime”, tha ai.

Arbitri nga Drenica thotë se i ka pëlqyer gjithmonë futbolli i vogël. Beqiri, atë që nuk e arriti si futbollist, daljen në Evropë tash synon ta arrijë në futsall si gjyqtar. Ai thotë se është në rrugën e duhur që të shijoj emocionet e arenës ndërkombëtare.

“Më ka pëlqyer gjithmonë futbolli i vogël, andaj pasi isha futbollist aktiv pranova të ndërpres futbollin e madh duke shpresuar për arenën ndërkombëtare çka besoj që tash e kam arrit dhe jemi në rrugë të mbare që të dalim dhe referojmë në arenën ndërkombëtare. Është një eksperiencë e mirë dhe është një lojë me emocione e cila pa dyshim që ka dallim shumë të madh, në kuptimin që është një profesionalizëm i vërtet, një disiplinë e madhe, duke falënderuar edhe lojtarët të cilët janë aty, një respekt më të madhe sigurisht, dhe kjo është ajo çka e dallon nga futsalli i Kosovës”, ka theksuar Beqiri.

26 vjeçari thotë se tashmë është pajisur me stemën e FIFA-së. Beqiri bën të ditur se ka marr edhe emailin nga UEFA për t’u deleguar në sfidat e Champinos League apo Futsal Cup.

“Ambiciet e mia janë që të referoj ndeshje ndërkombëtare në Evropë tashmë e kam edhe stemën e FIFA-së, dhe tashmë kamë marrë një email nga UEFA që do të jem i lirë prej datës 25 gusht deri me 3 tetor, për t’u deleguar në Champinos League apo Futsal Cup që e organizon UEFA. Ndoshta është pak herët, mirëpo unë e kam parë që për referim kam talent dhe Evropa ka qenë pikësynim çdo herë si futbollist. Si futbollist nuk ja kam arrit, kështu që si refer ja kam arrit dhe do të jep më të mirën”, ka përfunduar Beqiri.

Ai ka shtuar se është i përgatitur në gjitha pikëpamjet për të ndare drejtësinë jo vetëm në fustallin e Kosovës, por edhe në rrafshin ndërkombëtare.