Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Besa, kampione 5 herë rresht, 14 tituj në total

Besa FamGas është kampione e edicionit 2017/2018 në Superligën e meshkujve në hendboll, pasi shënoi fitore edhe në ndeshjen e dytë finale, kundër Prishtinës 28:34.

Fitore, skuadra nga Peja, shënoi edhe në ndeshjen e parë dhe i nevojitej edhe barazimi që të shpallej përsëri më e mira, raporton “Sporti në KTV”.

14-të tituj në total i kanë “Të Kuqtë” e Pejës, dhe kampionë të padiskutueshëm janë në pesë edicionet e fundit në elitën e hendbollit tonë.

Besa u shpall kampione edhe në Kupë ndaj Prishtinës, por humbjen e vetme sivjet pejanët në sezonin e rregullt, e kishin pësuar pikërisht nga “Bardhekaltrit” e kryeqytetit.

Sa i përket përballjes së dytë të zhvilluar në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, Prishtina pjesën e parë e dominoi plotësisht.

Avancoi Besa me një gol krejt në fillim, por më pas prishtinasit u kthyen në lojë dhe falë mbrojtjes së fortë, arritën ta kthejnë rezultatin të cilën në fund e mbyllën me tri gola epërsi 17:14.

Epërsia e Prishtinës vazhdoi edhe për pak minuta, kurse shifrat u barazuan në 20:20, kur kishin kaluar 38 minuta e 40 sekonda.

Që nga ai moment filloi dominimi dhe u vu në pah përvoja e madhe e hendbollistëve pejan, kurse Prishtina nuk arriti t’i bëj ballë sulmeve të tyre.

Golashënuesit më të mirë te skuadra e Besës ishte Egzon Gjuka me 11-të dhe Kastriot Jupa me 7 të tjera, kurse te Bardhekaltrit me lojë të mirë u dallua Petrit Prekazi që shënoi 8 sosh.

Besa kështu e vazhdon dominimin e plotë në hendbollin e Kosovës, ndërsa Prishtina nuk e arrin suksesin e më të mirës në ligë që prej edicionit 2012/2013.

Artikuj të ngjashëm