Basketbollisti i njohur i Prishtinës, Dardan Berisha, ka reaguar pas pretendimeve të shprehura nga top-klubet e Kosovës për dallavere.
Basketbolli kosovar u trondit gjatë ditës së sotme me akuza të shumta. Prishtina hodhi akuza të rënda se ndeshja e së dielës ndaj Trepçës ka tentuar të manipulohet, pasi thonë se posedojnë dëshmi teksa gjyqtarët e huaj të caktuar për ndeshjet e plejofit iu ofrohet ryshfet. Trepça ka mohuar përfshirjen në rast. Më vonë reagoi edhe KB Peja, që pa ndonjë dëshmi, pretendoi se ndeshja e tretë me Yllin mund të ketë qenë e kurdisur, anipse në dy ndeshjet e para, klubi verdhezi triumfoi dhe ndeshjet u gjykuan nga gjyqtarët e huaj.
Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ka thënë se vendosën t’i ndryshojnë gjyqtarët e huaj për ndeshjet e plejofit pasi ata kanë pasur takim të paautorizuar me persona të tretë, pa njoftim dhe informim të FBK-së. Fetahu tutje ka thënë se edhe pse nuk patën dëshmi për ndonjë keqpërdorim potencial, “ndërruan gjyqtarët që të shmangim çfarëdo mundësie të ndikimin apo manipulimit të rezultatit të ndeshjes".
Për të gjithë këtë situatë, Berisha ka pasur vetëm një reagim të shkurtër në Facebook.
“E pa pranueshme… turp! ”, ka shkruar ai.