Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Benitez thotë se e ka përkrahjen e tifozëve të Evertonit

Rafael Benitez këmbëngul se ai ka mbështetjen e tifozëve të Evertonit me gjithë reagimin e ashpër pas emërimit të tij të diskutueshëm si trajneri i ekipit nga Premier League. Para mbërritjes së Benitezit në “Goodison Park” muajin e kaluar, tifozët e Evertonit paralajmëruan ish-trajnerin e Liverpoolit që të mos firmoste kontratën duke varur një pano kërcënuese afër shtëpisë së tij. Por incidenti, i cili po hetohet nga Policia e Merseysidet, nuk e ndaloi Evertonin që të punësonte trajnerin spanjoll për të pasuar Carlo Ancelottin. “Të them të drejtën, tifozët e Evertonit përreth shtëpisë sime janë mjaft të lumtur dhe ishin shumë mbështetës. Edhe tifozët e Liverpoolit pranuan se ishte një mundësi për mua të kthehesha në Premier League. Ishte mjaft mirë” u tha Benitez gazetarëve të mërkurën gjatë prezantimit. “Duke folur për panon, mund të flasim për një ose dy persona. Është më mirë të mendosh pozitivisht dhe unë jam i lumtur që jam tek Evertoni”. Benitez është një legjendë e Liverpoolit, pasi udhëhoqi klubin drejt lavdisë në Ligën e Kampionëve në vitin 2005. Ai gjithashtu tërboi mbështetësit e Evertonit gjatë kohës së tij në “Anfield Road” duke iu referuar Evertonit si një “klub të vogël” pas një barazimi pa gola në vitin 2007.

Benitez ka pohuar se kjo ishte vetëm një kritikë ndaj taktikave mbrojtëse të Evertonit në atë ndeshje dhe nuk kishte të bënte me historinë e klubit.

“Ishte shumë kohë më parë. Ju po luftoni për klubin tuaj dhe kjo është ajo që unë do ta bëj tani. Nëse jeni trajner, duhet të mbroni klubin tuaj në çdo kontekst. Në këtë rast unë do të luftoj për Evertonin”, tha Benitez 61-vjeçar. “Unë do të përpiqem të bëj më të mirën time në çdo ndeshje të vetme. Do të përpiqem të garoj kundër kujtdo. Unë jam vërtet i kënaqur që ky klub po bëhet gjithnjë e më i madh dhe unë jam i kënaqur me idenë që ne mund të sfidojmë dhe të konkurrojmë për trofe, unë do të luftoj për këtë”.

Benitez u largua nga Liverpooli në vitin 2010 dhe që prej asaj kohe ka punuar për gjashtë klube të tjera.

Ai ka ruajtur një afinitet të fortë për vetë qytetin, me shtëpinë e tij familjare që gjendet ende në zonë.

“Unë kam një lidhje të shkëlqyeshme me qytetin, duke mbështetur shumë bamirësi dhe duke pasur miq në të dyja anët. Unë jam vërtet i kënaqur dhe krenar që jam këtu”, tha ai. “Klubi, traditat, historia, pronarët, tifozët pas skuadrës - të gjitha këto gjëra, për këdo që di historinë e klubit, është mjaft e lehtë.

Unë jam në shtëpi. Unë dua të konkurroj. Unë dua të sfidoj çdo klub. Është një mundësi e shkëlqyer, një sfidë nga unë dhe jam vërtet i kënaqur me këtë”.

Pasi u largua nga Liverpooli, Benitez punoi tek Interi, Chelsea, Napoli, Real Madridi, Newcastle dhe Daliani. Ai gjithashtu gjatë karrierës si trajner ka udhëhequr edhe klubet si: Real Valladolid, Osasuna, Extremadura, Tenerife e Valencia.

Artikuj të ngjashëm