Trajneri i Llapit, Tahir Batatina është shprehur tejet i kënaqur me reagimin e shpejtë të ekipit të tij pas humbjes së papritur që e pësoi xhiron e shkuar në shtëpi nga Ferizaj.
Llapi, të enjten triumfoi bindshëm ndaj Ballkanit, të cilin e mposhti me shifrat 4:1 në Suharekë në kuadër të xhiros së 16 të Superligës së Kosovës.
Batatina tha se Llapi nuk bëri diçka më shumë se Ballkani, por e dëshiroi më shumë fitoren dhe kjo e bëri dallimin në fushë.
“E kemi ditur se do të jetë ndeshje shumë e vështirë. Këtë herë ndoshta ka ndryshuar loja e Ballkanit që ka treguar paraqitje të mira në Evropë dhe në këtë e shfrytëzuam duke reaguar pas një humbje të papritur. Bëmë një paraqitje spektakolare. Këtë herë i kishim marrë të gjitha masat për t’u përballur me Ballkanin dhe kemi bërë ndryshime taktike dhe e kemi ditur se nëse vrapojmë më shumë do ta fitojmë ndeshjen, gjë që edhe e arritëm”, ka thënë Batatina.
“Mbuluam pikat e forta të Ballkanit, u mbrojtëm shumë mirë dhe shfrytëzuam kundërsulmet e shpejta ku realizuam golat dhe fituam ndeshjet. Rivera është mesfushori më i mirë në ligë dhe këtë nuk kemi çka diskutojmë, pasi ai zgjidh të gjitha problemet brenda ndeshjet. Progni me këtë supergol po rikthehet në formën e dikurshme dhe ne do të shkojmë nga ndeshja në ndeshje sepse kampionati është i gjatë”.