Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Bashkimi nis të kalojë vështirësitë

Ish-kampioni i Kosovës në basketboll te meshkujt, Bashkimi nga Prizreni, ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje me FIBA-n për riprogramimin e borxheve ndaj lojtarëve Aleksandar Gruev e Ljubo Shamadan, që ishin pjesë e këtij ekipi gjatë edicionit 2017\18.

Klubi nga Prizreni ka bërë të ditur se tashmë do të bëjë pagesën prej 18 mijë eurosh ndaj atyre lojtarëve, në mënyrë që të ketë të drejtën e pjesëmarrjes në Superligën e Kosovës dhe të bëjë transferime për edicionin e ri, transmeton Koha Ditore.

Gjithashtu klubi ka njoftuar se edhe në Administratën Tatimore të Kosovës ka arritur të paguajë shumën prej 12 mijë eurosh, në mënyrë që të zhbllokojë llogarinë e klubit për të funksionuar në mënyrë normale.

"KB Bashkimi ka filluar stërvitjet javën e kaluar dhe pret nga këto dy institucione, FIBA e ATK, që ta lirojnë klubin nga bllokadat. Me FIBA-n është arritur marrëveshja për riprogramimin e borxhit ndaj rasteve Gruev e Shamadan, si dhe në ATK janë paguar 12 mijë euro për të zhbllokuar llogarinë", thuhet në njoftimin e klubit.

Edhe Prishtina ka arritur marrëveshje për riprogramimin e borxheve me FIBA-n, ku së fundi kishte humbur rastin edhe nga ish-trajneri turk Ahmet Kandemir. Për shkak të borxheve dhe bllokadave nga FIBA, skuadra e Pejës tashmë është shuar dhe nuk është më pjesë e basketbollit kosovar.