Bashkimi ka mposhtur Sigal Prishtinën në ndeshjen e parë finale të play-offit.
“Arpaxhikët” mposhtën kampionin aktual me rezultat të ngushtë 81-84.
Seria finale ka nisur sot në palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Në Prishtinë do të luhen edhe ndeshja e tretë dhe ndeshja e pestë eventuale, ndërsa në Prizren luhen ndeshja e dytë dhe ndeshja e katërt eventuale.
Skuadra që shënon tri fitore shpallet kampione. Prishtina e ka përfunduar stinorin e rregullt në pozitën e parë dhe për këtë e ka përparësinë e terrenit vendas në ndeshjen e pestë eventuale që mund të jetë vendimtare.
Ndonëse stinorin e rregullt e ka përfunduar në pozitën e parë, me vetëm një humbje të pësuar pikërisht nga Bashkimi, Prishtina këtë edicion nuk ishte dominuese si në edicionet e kaluara. Po ashtu Prishtina ka fond të limituar lojtarësh me përvojë dhe vetëm një të huaj në përbërje.