Presidenti i Baselit, Bernhard Burgener ka konfirmuar se klubi i madh zviceran i futbollit ka dashur të mbajë Edon Zhegrovën. Por ai ka shtuar se prioritet ishte siguria e klubit dhe për këtë është hequr dorë nga mundësia për të firmosur me reprezentuesin e Kosovës.
Zhegrova është i huazuar te Baseli nga Genku belg deri në fund të edicionit aktual. Huazimi kishte filluar në janar të vitit të kaluar. Baseli ka pasur opsion që të transferojë Zhegrovën për 3,5 milionë euro, por nuk e ka shfrytëzuar këtë.
Zhegrova pritet që në verë të kthehet te Genku ku nuk ka luajtur shumë. Së fundi është raportuar se për të po interesohen skuadra angleze.
Presidenti i Baselit ka thënë se detyrë e drejtuesve është të mbrojnë klubin.
“Ne është dashur të mbrojmë klubin. Në njërën anë ne nuk kemi të ardhura, ndërsa në anën tjetër nga ne kërkohet të paguajmë dy herë. Opsioni për të mbajtur Zhegrovën ishte 3,5 milionë euro. Natyrisht ne do të dëshironim të mbanim atë. Por ne kemi mbi 200 të punësuar dhe ne kemi përgjegjësi ndaj tyre, përgjegjësi që duam t’iu përmbahemi”, ka thënë Burgener.
Klubet e futbollit në gjithë botën janë goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit. Kriza ka prekur edhe klubet zvicerane. Pritet që pas pandemisë transferimi i lojtarëve të bëhet me shifër shumë më të vogël. Shumë të përfshirë kanë thënë se transferimet e shtrenjta duhet të harrohen për një kohë.