Është lojtar i skuadrës së futsallit, Prishtina 01, dhe në të njëjtën kohë e luan edhe rolin e doktorit (fizioterapeutit). Edhe pse ka qenë në parket si lojtar dhe qëllimi i tij ishte të shënojë gola, në shumë raste, atij i është dashur t’i përvjelë mëngët dhe të intervenojë për t’i ndihmuar bashkëlojtarët, e besa edhe kundërshtarët.
Është ky 25-vjeçari, Bardh Kelmendi nga Obiliqi. Tashmë katër vjet, krahas lojës së bukur që dhuron në futsall, Kelmendi me mjaft sukses po e luan edhe rolin e fizioterapeutit.
Për KOHËN, ai tregon se karriera e tij ka nisur si futbollist te klubi i KEK-ut, por më pas e ka ndërprerë për t’i vazhduar studimet, e të cilave ia ka pa hairin. Thotë se nuk ka parë të ardhme përmes futbollit të Kosovës dhe për këtë arsye është tërhequr në moshën 21-vjeçare.
“Kam luajtur në futboll të madh për 12 vjet rresht. Të gjitha grupmoshat, deri në ekip të parë i kam kaluar në klubin e KEK-ut. Përveç KEK-ut, nuk kam luajtur për asnjë klub tjetër. Shkaku kryesor që jam larguar nga futbolli i madh është se nuk e kam pa një të ardhme të ndritur në Kosovë, në kohën kur luaja unë, për atë edhe u largova dhe fillova studimet në Fakultetin e Mjekësisë”, thotë Kelmendi.
Kelmendi, që ka lindur në Prishtinë, por që më pas është zhvendosur në Obiliq, ku edhe ka hapur një ordinancë private, thekson se as vetë nuk e di se si ka përfunduar në futsall. Madje, zbulon se nuk kishte dëgjuar më herët se ekziston ky sport në Kosovë.
“As nuk e kam imagjinuar që do të luaja ndonjëherë futsall. Derisa kam hyrë në futsall, nuk e kam ditur që kjo lojë ekziston në Kosovë, por kjo ka qenë si lloj fati që unë kam hyrë në këtë sport”, thotë Kelmendi. “Me futsall kam filluar në moshën 21-vjeçare. Hapat e parë i kam marrë në klubin Mabetex Prishtina, më pas kam kaluar te Feniksi, Besa e Pejës dhe në fund në klubin ku jam aktualisht duke luajtur, Prishtina 01. Jam shumë i kënaqur dhe nuk e kam ndërmend të ndalem. Është sport shumë i veçantë”.
Ai tregon se sukseset nuk i kanë munguar në moshë të re, ku ka fituar edhe titullin e kampionit. Madje, shton se është cilësuar edhe si një talent i madh në futboll.
“Suksese në futboll të madh nuk kam pasur edhe aq, sepse vetëm dy vjet kam luajtur në ekip të parë të KEK-ut, e që atëherë ishte në Ligën e Parë. Ndërsa, me grupmosha të reja kam fituar disa tituj me KEKun. Një fakt që dua ta cek është se jam cilësuar si një ndër talentet më premtues në futbollin e Kosovës, por kushtet siç janë sot nuk i kemi pasur në atëherë që të vazhdonim për ëndrrën e quajtur futboll”, u shpreh futbollisti i Prishtina 01, i cili thotë se ka qenë edhe golashënuesi më i mirë në ekipin e Mabetex Prishtinës.
“Në fillim të karrierës, kur fillova në futsall te Mabetex Prishtina, aty jam kanë top golashënues, pastaj në Feniks po ashtu, por aty nuk i zgjati shumë dhe u shua ekipi. Te Besa kam pasur paraqitje shumë të mira, duke realizuar shumë gola”, thotë Kelmendi. “Dhe, në fund tek ekipi ku luaj qe gati dy vjet Prishtina 01, kam afro 40 gola për dy vjet. Me Prishtinën 01 e kemi fituar Kupën e Kosovës e po ashtu edhe Kupën e qyteteve. Më ka mbetur vetëm edhe Kupa e Superligës në futsall pa e fituar, e që besoj shumë që me ekipin aktual do t’ia dalim ta fitojmë edhe këtë, sepse kemi shumë lojtarë të mirë dhe me përvojë”.
Fizioterapinë e mendoi për të ardhmen
Bardh Kelmendi i ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë, dega e Fizioterapisë në Universitetin e Prishtinës. Ai deklaron se punën më të madhe e ka me sportistët.
“E kam përfunduar Fakultetin e Mjekësisë, dega Fizioterapi në Universitetin Publik ‘Hasan Prishtina’. Mendoj të vazhdoj edhe më tutje me studime, prandaj jam fizioterapeut dhe e kam hapur edhe ordinancën time. Gjatë punës sime kam shumë pacientë sportistë, disa prej tyre edhe bashkëlojtarë e shokë”, shtoi Kelmendi, i cili është edhe pjesë e stafit mjekësor të KEK-ut, që bën gara në Ligën e Parë të Kosovës në futboll. “Trajtoj lëndime sportive pothuajse çdo ditë dhe këtë punë e bëj me përkushtimin më të madh. Rastet e sportistëve që i trajtoj më së shumti, janë lëndimet e ligamenteve dhe ngurtësimet muskulore. Në përgjithësi, të gjitha lëndimet sportive. Jam edhe fizioterapeut te klubi i KEK-ut te të gjitha grupmoshat, aty ku jam rritur si lojtar”.
Kelmendi nënvizon se ka menduar edhe më herët që të ketë një profesion të dytë për të punuar pasi do të tërhiqej nga futbolli. Mirëpo, tani ai po kryen të dyja profesionet në të njëjtën kohë. Ai zbulon një rast interesant prej shumë rasteve që i kanë ndodhur kur është dashur të intervenojë, ani pse ka qenë lojtar.
“Rasti më interesant më ka ndodhur në një turne në Ferizaj, që është ndër turnetë më të mëdhenj në Republikën e Kosovës. Më ka ndodhur që të luaj në atë turne dhe po aty e kam luajtur edhe rolin e fizioterapeutit. Në lojën që jam paraqitur, është lënduar një lojtar i ekipit kundërshtar, dhe është dashur që ashtu i veshur si lojtar të shkoj ta marr çantën dhe të futem e t’ia jap ndihmën lojtarit kundërshtar, një ndjenjë interesante”, u shpreh Kelmendi.
Sipas tij, ishin kushtet ato që kanë bërë të mendojë për një profesion tjetër.
“Gjithmonë kam menduar që përveç sportit, ta kem edhe një profesion të dytë. Kjo për faktin se jemi në një shtet të vogël dhe duke e pasur parasysh se sporti në Kosovë ka ende nevojë për zhvillim, nuk mund të mbijetosh. Aq shumë e dua sportin sa që ndoshta nuk do ta mendoja profesionin e dytë, por rrethanat të detyrojnë për një mundësi të dytë. Përndryshe, të dyja profesionet janë pjesë e jetës sime pasi e kam gjetur veten shumë mirë edhe në fizioterapi. Për të gjitha të arriturat e mia, meritat më të mëdha i takojnë familjes sime, e cila më ka mbështetur që nga fillimi”, tha Kelmendi.
Përfaqëson Kosovën në futsall
Kelmendi, falë punës dhe përkushtimit, ka arritur të sigurojë një vend edhe në përfaqësuesen e Kosovës në futsall. Paraqitjet e mira nëpër skuadrat ku ai është aktivizuar, e sidomos me Prishtinën 01, kanë bërë që Kelmendi të ketë rastin që të veshë edhe fanellën e shtetit të tij.
“Unë jam edhe lojtar i përfaqësueses së Kosovës në futsall. Të luash për shtetin tënd është emocion i veçantë dhe dallon nga çdo emocion dhe ndjenjë tjetër. Ndihem krenar që sadopak e jap kontributin për vendin tim”, deklaroi Kelmendi, i cili deri më tani është paraqitur vetëm në miqësore.
Ai zbulon se si shkaku i lëndimit nuk kishte mundur të udhëtojë me Kosovën për ndeshjet zyrtare (kualifikuese).
“Me Kosovën kam luajtur vetëm miqësore. Në miqësoren e parë isha i ftuar nga Ramadan Cimili dhe arrita të shënoj gol për Kosovën kundër Maqedonisë së Veriut. Ishte një ndjenjë shumë e mirë. Kam qenë në të gjitha grumbullimet me Kosovën, por në dy raste që kemi pasur të udhëtojmë me Kosovën jashtë vendit, unë nuk kam mundur të shkoj shkaku i lëndimeve. Ato ndeshje kanë qenë për kualifikime”, tha Kelmendi, i cili thekson se nuk e ka aspak të vështirë të luajë dhe të kryejë edhe rolin e fizioterapeutit.
“Nuk e marr aspak si të vështirë të luaj futsall dhe merrem edhe me profesionin e fizioterapeutit. Këto të dyja kanë lidhshmëri të madhe, duke e ditur se ka lëndime të shpeshta në sport. Thjesht, janë dy gjëra që ndiej kënaqësi kur i bëj. Mundohem të gjej kohë për të dyja, e ku vullneti dhe përkushtimi është i madh”, u shpreh ai.
Kelmendi tashmë është mësuar me faktin se sa herë që ka lojë me ekipin e tij, do të duhet të intervenojë edhe si fizioterapeut. Ai këtë e ndien edhe si obligim.
“Gjatë ndeshjes kur kam qenë duke luajtur, më ka rënë shumë herë që t’u ndihmoj bashkëlojtarëve, por edhe lojtarëve kundërshtarë. Kam intervenuar në shumë raste. Edhe gjatë kohës si lojtar, pra e kam kryer edhe rolin e fizioterapetutit, sepse e kam obligim”, tha Kelmendi.
Para se t’i përkushtohet futsallit dhe fizioterapisë, Kelmendi në futboll ka luajtur si mesfushor i krahut, por edhe sulmues. Ndërsa, në futsall ai ka rolin e qendërsulmuesit.