Një ndër ligat më të fort në botë, La Liga spanjolle, nis sezonin e ri me ndeshje tejet interesante.
Por këtë edicion La Liga, pritet të jetë me e varfër pas largimit të Cristiano Ronaldos te Juventusi, transmeton KTV.
Barcelona që sezonin e nisi me trofe pasi fitoi Superkupën e Spanjës ndaj Sevillas, do të kërkojë ta nisë me fitore edhe edicionin e ri.
Kataluanist janë nikoqirë të Alaveshit, në kuadër të xhiros së parë të ligës spanjolle.
Lionel Messi do të jetë kapiteni i ri i “blaugranëve” që do të udhëheqë ekipin drejt mbrojtjes së titullit të kampionit.
Në këtë ndeshje, pritet të debutojë Arturo Vidal, përderisa disa minuta mund t’i ketë edhe Malcom.
Barcelona nuk di për humbje nga Alaveshi, në nëntë ndeshje përfshirë finalen e Kupës së Mbretit, sezonin e shkuar prej 3:1.
Real Madridi do të kërkojë këndelljen në startin e La Ligas, pas humbjes në finalen e Superkupës së Evropës, nga Atletico Madridi.
Madrilenët, aventurën në ligën spanjolle, do ta nisin në shtëpi ndaj Getafes, kësaj radhe pa yllin portugez Cristiano Ronaldo.
“Mbretërit” nuk dinë për humbje në pesë ndeshjet e fundit ndaj Getafes, duke shënuar pesë fitore.
Ndeshja kryesore e xhiros së parë, pritet të zhvillohet në stadiumin “Mestalla” ndërmjet Valencias dhe Atletico Madridit.
“Lakuriqët” e përforcuar synojnë të jenë befasia në këtë sezon në La Liga.
Nga ana tjetër Atletico Madrid, i motivuar pasi fitoi Superkupën e Evropës, synon ta nisë me fitore edhe sezonin e ri.
Te Valencia pritet të debutojë Michy Batshuayi, përderisa te madrilenët, Thomas Lemar dhe Nikola Kaliniq.
Atletico Madrid ka bilanc fantastik në pesë përballjet e fundit me Valencina, duke shënuar katër fitore dhe një barazim.