Kampioni në fuqi i elitës së futbollit kosovar, Ballkani, e ka fituar trofeun e parë të këtij viti.
Ballkani të shtunën fitoi trofeun e Superkupës së Kosovës 2022, pasi mposhti skuadrën e Llapit 1:0 në Antalia të Turqisë, në ndeshjen e tensionuar në fund.
Një duel mes meksikanit të Llapit, Francisco Rivera, dhe mbrojtësit të Ballkanit, Lumbardh Dellova, çoi deri në tensionimin e situatës dhe përleshjes mes lojtarëve.
Situata zgjati për pak minuta, derisa stafet e dyja ekipeve hynë në fushë për t’i qetësuar gjakrat.
Gjyqtari kryesor i ndeshjes ndau edhe karton të kuq.
Për Ballkanin është trofeu i parë i Superkupës, trofe të cilin edicionin e kaluar e kishin fituar llapjanët e drejtuar nga Tahir Batatina.
Suharekasit fituan me rezultatin 1:0, me një gol të shënuar nga Lumbardh Dellova.
Pjesa e parë e Superkupës së Kosovës u karakterizua me posedim të topit nga Ballkani dhe me disa gjysmëraste për shënim.
Llapi ishte i përqendruar në kundërsulme, por gola nuk u shënuan nga asnjëra skuadër.
Llapi nga minuta e 28-të mbeti me një lojtar më pak në fushë.
Me kartonin e dytë të verdhë u ndëshkua futbollisti i krahut të djathtë te Llapi, Bekim Maliqi.
Ballkani i drejtuar nga trajneri Ilir Daja kaloi në epërsi në minutën e 62-të.
Armend Thaqi nga krahu i djathtë harkoi bukur në zonë, ndërsa Dellova u shkëput më së larti dhe shënoi me kokë.
Suharekasit patën edhe disa raste të mira për shënim deri në fund të ndeshjes.
Llapi me një lojtar më pak në fushë u mundua të realizonte golin e barazimit, por nuk ia doli. Protestoi disa herë për penallti e raste të tjera.
Pas përfundimit të fazës përgatitore në Turqi, Ballkani e Llapi do të kthehen në Kosovë për ndeshje të Kupës së Kosovës dhe Superligës së Kosovës.
Në Kupë, Ballkani luan kundër skuadrës A&N në 1/8 e finales, kurse Llapi ballafaqohet me Lirinë.
Në Superligë, Ballkani është i dyti me 38 pikë, aq sa ka edhe Drita në vendin e parë.
Llapi është i gjashti me 20 pikë.