Luciana Aymar jo vetëm që është hokejistja më e mirë e të gjitha kohërave, por ajo edhe ka transformuar mënyrën se si një shtet i tërë shikon sportin e saj. Është një storie e madhe e një sakrifice 20-vjeçare. Luciana tash 41-vjeçare, e pensionuar si fituese e katër medaljeve olimpike, rrëfen për karrierën e saj të madhe.
"Nuk kishte ndonjë sport të caktuar për femrat kur isha e re. Ishim të ndara mes tenisit, volejbollit dhe gjimnastikës. Kështu, si një grup i lojtareve dhe trajnerëve, ne vendosëm të ndryshonim pamjen e sportit tonë. Ne donim që hokeji të ishte një nga më të mirët dhe sporti më i popullarizuar në të gjithë vendin", thotë Aymar.
Ishte një synim shumë ambicioz. Kur Aymar 7-vjeçare së pari kishte kapur shkopin e hokejit në bari, hokejistet e Argjentinës kurrë nuk kishin fituar ndonjë Kupë të Botës, ndërsa kishin arritur në finale në vitin 1974 dhe 1976. Mirëpo barra e historisë kurrë nuk do ta ndalte Aymarin, këmbëshpejtën nga Rosario, një qytet 300 kilometra larg Buenos Airesit, që është edhe qyteti i lindjes i gjeniut të futbollit, Lionel Messi.
"Kur isha 17-vjeçare duhej të udhëtoja në Buenos Aires çdo javë për të stërvitur. Zgjohesha në 3 të mëngjesit dhe merrja autobusin për të arritur në Buenos Aires në 7 të mëngjesit, ndërsa nisja stërvitjet në ora 8", rikujton Luciana Aymar me buzëqeshje në fytyrë. "Kthehesha nga Buenos Aires të enjten për të vazhduar stërvitjet me klub të enjten në mbrëmje. Më pas luaja të shtunën dhe të dielën sërish nisesha për në Buenos Aires. Kam bërë këtë rutinë të çmendur për shumë vite. Unë e kisha në kokën time idenë që të bëhesha lojtarja më e mirë e mundshme".
Një përkushtim i tillë u shpërblye shpejt. Në moshën 16-vjeçare, Luciana Aymar u bë lojtarja më e re që veshi fanellën e përfaqësueses A të Argjentinës në hokej në bari (në fushë). Dhe aty nisën gjërat vërtet të ndryshonin... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)