Ëndrra e Qarabagut në Ligën e Evropës vazhdon ende, kurse Pierre-Emerick Aubameyang, sulmuesi i Marseillet francez, kërkon të shkruajë histori në Ligën e Evropës. Ndërkohë Roma dhe Feyenoordi kërkojnë avancimin tutje nga plejofi i kësaj gare.
Të enjten luhen ndeshjet kthyese të 1/16 së finales së kësaj gare. Freiburg – Lens, Qarabag – Braga, Rennes – Milan dhe Toulouse – Benfica luhen nga ora 18:45, kurse Roma – Feyenoord, Marseille – Shakhtar Donetsk, Sparta Praga – Galatasaray dhe Sporting – Young Boys, nisin në orën 21:00. Qarabagu, që përfundoi në vendin e dytë në Grupin H prapa Leverkusenit, e fitoi 4:2 në Portugali ndeshjen e parë. Ndërkohë e synon kalimin në 1/8 e finales për herë të parë në histori të klubit. Sulmuesi i Marseillet, Aubameyang, shënoi golin e parë në barazimin 2:2 me Shakhtarin.
Ishte edhe goli që e barazoi në statistikën e golashënuesve më të mirë të Ligës së Evropës. Bashkë me ish-sulmuesin e Portos dhe Atletico Madridit, Radamel Falcao, prijnë me nga 30 gola. Në këtë garë më herët, Aubameyang ka realizuar edhe me fanellën e Dortmundit, Arsenalit dhe Barcelonës. Në formë të mirë është edhe Romelu Lukaku i Romës, që ka 26 gola në total. Ka formë fantastike me 17 gola në 18 paraqitjet e fundit në Ligën e Evropës.
Roma ndërkohë do të luajë kundër Feyenoordit në “Olimpico”. Ndeshja e parë në Rotterdam u mbyll 1:1.
Është sezoni i tretë që këto dy skuadra ballafaqohen mes vete në garat evropiane. Roma mposhti skuadrën holandeze në finale të Ligës së Konferencës në Tiranë, ndërsa e kishte eliminuar edhe në çerekfinale të Ligës së Evropës në edicionin 2022/23. Finalja e Ligës së Evropës në edicionin aktual do të organizohet në “Dublin Arena” të Republikës së Irlandës, më 22 maj. Ky stadium ka kapacitet prej 50 mijë ulëseve, ndërsa është hapur në vitin 2010.